1. PROFILI I FSHZH

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është organizatë zhvillimore që i përgjigjet sfidave dhe partnerëve të saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. E themeluar që në vitin 1993, FSHZH ka një përvojë 29-vjeçare në zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton projekte/programe të larmishme në fusha të ndryshme me fokus në infrastrukturë rrugore, zhvillim urban, shërbime utilitare, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar dhe kryen aktivitetin në Zyrën Qendrore dhe në katër rajone: Tiranë, Korçë, Shkodër e Vlorë.

Reforma e Zhvillimit Rajonal konsiderohet nga Qeveria Shqiptare si një objektiv i rëndësishëm kombëtar. Në këtë kuadër, Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (RDPA), një projekt i Qeverisë Zvicerane dhe Austriake, është duke mbështetur Qeverinë Shqiptare, në disa prej aktiviteteve, për të çuar përpara reformen për zhvillimin rajonal dhe kohezionin.

Në përmbushje të këtij angazhimi, RDPA ofron pozicionin e Ekspertit për Baza të Dhënash dhe Statistika, i cili do të punojë me mbështetjen teknike të RDPA dhe nën supervizimin e plote të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

  1. QËLLIMI I POZICIONIT TË PUNËS

Eksperti per baza të dhënash dhe statistika do të punojë dhe kontribuojë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), për ngritjen e sistemit të informacionit dhe bazës së të dhënave në nivel kombëtar, rajonal, lokal apo sektorial në kuadër të zhvillimit rajonal dhe kohezionit në Shqipëri.

Në këtë kuadër, eskperti do të kontribuojë në përgatitjen e bazës së të dhënave menaxhimit dhe përmirësimit të sistemit; interpretimin dhe analizën e të dhënave me qëllim hartimin e dokumenteve të planifikimit, programimit, etj.

  1. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT
  • Të kontribuojë në përgatitjen e dokumentit metodologjik për ngritjen e sistemit të të dhënave duke specifikuar metodologjinë në lidhje me grumbullimin dhe ruajtjen e treguesve;
  • Të kontribuojë në dizenjimin e një baze të dhënash gjithëpërfshirëse në funksion të planifikimit dhe programimit në nivel kombëtar, rajonal, lokal apo edhe sektorial për qëllim të zhvillimit rajonal dhe kohezionit.
  • Të ndihmojë në përpunimin e të dhënave bazë me qëllim gjenerimin e treguesve të gatshëm për t’u përdorur në analiza demografike, socio-ekonomike, mjedisore etj.;
  • Të kontribuojë në përgatitjen e analizave, raporteve, dhe statistikave relevante për përgatitjen e diganozave për zhvillimin rajonal dhe kohezionin;
  • Të kontribuojë në përmirësimin dhe pasurimin e vazhdueshëm të bazës së të dhënave duke ruajtur, vlerësuar dhe përmirësuar modelin e procesimit të tyre;
  • Të japë sipas nevojës, vlerësime periodike të performancës së databazës nëpërmjet hartimit të një protokolli për matjen e rezultateve dhe identifikimin e fushave të problemit;
  • Të kontribuojë në gjenerimin e raporteve mbi ecurinë e treguesve kryesorë sipas tematikave, problematikave apo aktivitetit të institucionit;
  • Të ndihmojë në gjenerimin e materialeve vizuale (grafikë, imazhe informative, etj.) lehtësisht të lexueshme dhe kuptueshme edhe nga persona të tjerë, jo të fushës.
  1. PROFILI I KANDIDATIT

Kandidati duhet të ketë diplomë universitare në shkenca kompjuterike, shkenca informatike, ekonomiks, statistikë dhe/ose displina të tjera të ngjashme; Diplomë master me fokus zhvillimin e bazave të të dhënave (shkenca info ekonomike, statistikë, etj.).

Kandidati duhet: të ketë njohuri të menaxhimit të bazave të të dhënave, grumbullimin, ruajtjen, zgjidhjen e problemeve dhe përpunimin e të dhënave; të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze (shkruar dhe folur); të ketë aftësi  shumë të mira komunikimi dhe raportimi, përfshirë aftësinë për të demonstruar, shpjeguar, bindur dhe lehtësuar diskutimet; të ketë aftësi dhe njohje të mirë të praktikave për mbledhjen, analizimin dhe vlerësimin e të dhënave nga burime të shumëllojshme informacioni; të ketë aftësi shumë të mira mbi përdorimin e programeve të avancuara Excel, Word, SPSS dhe programe të tjera të përpunimit të të dhënave; të ketë aftësi të mira në përgatitjen e prezantimeve dhe materialeve të tjera infografike; të punojë dhe ushtrojë në mënyrë të pavarur dhe me mbikëqyrje të kufizuar në disa aktivitete në të njëjtën kohë.

Përbëjnë avantazh: Njohuri të treguesve ekzistues socio-ekonomik të disponueshëm aktualisht në nivel kombëtar, rajonal, lokal apo/edhe sektorial dhe shpjegimit të informacionit përkatës.

Të ketë jo me pak se 5 vjet eksperiencë pune në menaxhim dhe mirëmbajtje të bazave të integruara të të dhënave; Eksperiencë në njohjen, vlerësimin dhe analizimin e bazave të të dhënave dhe treguesve të ndryshëm, veçanërisht ata me fokus socio-ekonomik.

  1. APLIKIMI

Të gjithë të interesuarit, janë të lutur që të dërgojnë CV dhe letër interesi nëpërmjet adresës e-mail: burimenjerezore@albaniandf.org

Afati i fundit për aplikim: 04 mars 2022.

  1. VLERËSIMI/INTERVISTIMI

Faza I: Aplikimet e mbledhura do të shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit. Kandidatët që plotësojnë kriteret, do të njoftohen për të zhvilluar një intervistë me përfaqësues të FSHZH dhe RDPA.

Kandidatët që do të përzgjidhen pas intervistës do të njoftohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore për takimin pranë zyrave të FSHZH për të vijuar me fazën e dytë.

Faza II: Vlerësim për aftësitë e bashkëpunimit dhe komunikimit për një tematikë të caktuar nga Komisioni i Vlerësimit.

Kandidatët fitues të fazës së dytë do të njoftohen të fillojnë punën duke lidhur kontratën individuale përkatëse.