1. PROFILI I FSHZH

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është organizatë zhvillimore që i përgjigjet sfidave dhe partnerëve të saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. E themeluar që në vitin 1993, FSHZH ka një përvojë 29- vjeçare në zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton projekte/programe të larmishme në fusha të ndryshme me fokus në infrastrukturë rrugore, zhvillim urban, shërbime utilitare, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar dhe kryen aktivitetin në Zyrën Qendrore dhe në katër rajone: Tiranë, Korçë, Shkodër e Vlorë.

Reforma e Zhvillimit Rajonal konsiderohet nga Qeveria Shqiptare si një objektiv i rëndësishëm kombëtar. Në këtë kuadër, Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (RDPA), një projekt i Qeverisë Zvicerane dhe Austriake, është duke mbështetur Qeverinë Shqiptare, në disa prej aktiviteteve, për të çuar përpara Reformën për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin.

Në përmbushje të këtij angazhimi, RDPA ofron pozicionin e Ekspertit të Zhvillimit Rajonal, i cili do të punojë me mbështetjen teknike të RDPA dhe nën supervizimin e plotë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

  1. QËLLIMI I POZICIONIT TË PUNËS

Eksperti për zhvillimin rajonal do të punojë dhe kontribuojë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) për përgatitjen e strukturës së përgjithshme të zhvillimit rajonal në Shqipëri.

Në këtë kuadër, eksperti i zhvillimit rajonal, do të kontribuojë në hartimin e Planit Kombëtar për ZhRK-në, Planet e Zhvillimit Rajonal dhe Programit Operacional për ZhRK-në. Ndër të tjera, eksperti do të kontribuojë gjithashtu në ngritjen e strukturave për zbatimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin në nivel kombëtar dhe rajonal.

  1. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT
  • Të ofrojë ekspertizë mbi qasjet e zhvillimit rajonal në kuadër të projekteve/programeve specifike;
  • Të vlerësojë dhe kontribuojë në analizimin e çështjeve socio-ekonomike dhe ato të pabarazive;
  • Të kontribuojë në proceset e vizionimit dhe konceptimit të zhvillimit të territorit si pjesë e hartimit të dokumenteve strategjike në nivel kombëtar, rajonal, lokal apo sektorial;
  • Të kontribuojë në përcaktimin e prioriteteve dhe drejtimeve strategjike të zhvillimit rajonal;
  • Të kontribuojë në shkrimin dhe përgatitjen e dokumenteve të planifikimit dhe programimit;
  • Të kontribuojë në ndjekjen dhe koordinimin e aktiviteteve që lidhen me ngritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore në kuadër të projekteve/programeve;
  • Të kontribuojë në aftësimin e bordeve të partneritetit në nivel kombëtar dhe rajonal, sipas përcaktimeve të Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin;
  • Të kontribuojë në përgatitjen e informacioneve periodike dhe prezantimeve mbi detyrat e lartpërmendura sipas nevojës.
  1. PROFILI I KANDIDATIT

Kandidati duhet të ketë diplomë master në planifikim urban, shkenca politike, ekonomi, shkenca sociale, juridike apo degë tjetër që lidhet me fushën e zhvillimit.

Kandidati duhet: të ketë njohuri të kuadrit të përgjithshëm të zhvillimit lokal/rajonal dhe të situatës aktuale në Shqipëri; të ketë aftësi të mira analitike; të njohë mirë legjislacionin përkatës; të ketë njohuri në menaxhimin e projekteve/programeve strategjike; të zotërojë gjuhën angleze (shkruar & lexuar); të ketë njohuri të programeve kryesore të Microsoft Office, GIS, AutoCAD etj.; të ketë aftësi të mira komunikimi (të degjuarit aktiv, komunikimi verbal dhe joverbal i saktë, qartësi mendimi dhe të qënurit konçiz në prezantime; miqësor dhe etik); të ketë aftësi të shkëlqyera të punuarit në grup.

Të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë pune në profesion; Eksperiencë të mëparshme në projekte të zhvillimit në nivel lokal ose rajonal.

  1. APLIKIMI

Të gjithë të interesuarit, janë të lutur që të dërgojnë CV dhe letër interesi nëpërmjet adresës së e-mailit burimenjerezore@albaniandf.org.

Afati i fundit për aplikim: 04 mars 2022.

  1. VLERËSIMI/INTERVISTIMI

Faza I: Aplikimet e mbledhura do të shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit. Kandidatët që plotësojnë kriteret, do të njoftohen për të zhvilluar një intervistë me përfaqësues të FSHZH dhe RDPA.

Kandidatët që do të përzgjidhen pas intervistës do të njoftohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore për takimin pranë zyrave të FSHZH për të vijuar me fazën e dytë.

Faza II: Vlerësim për aftësitë e bashkëpunimit dhe komunikimit për një tematikë të caktuar nga Komisioni i Vlerësimit.

Kandidatët fitues të fazës së dytë do të njoftohen të fillojnë punën duke lidhur kontratën individuale përkatëse.