1. PROFILI I FSHZH

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është organizatë zhvillimore që i përgjigjet sfidave dhe partnerëve të saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. E themeluar që në vitin 1993, FSHZH ka një përvojë 29- vjeçare në zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton projekte/programe të larmishme në fusha të ndryshme me fokus në infrastrukturë rrugore, zhvillim urban, shërbime utilitare, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar dhe kryen aktivitetin në Zyrën Qendrore dhe në katër rajone: Tiranë, Korçë, Shkodër e Vlorë.

Reforma e Zhvillimit Rajonal konsiderohet nga Qeveria Shqiptare si një objektiv i rëndësishëm kombëtar. Në këtë kuadër, Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (RDPA), një projekt i Qeverisë Zvicerane dhe Austriake, është duke mbështetur Qeverinë Shqiptare, në disa prej aktiviteteve, për të çuar përpara Reformën për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin.

Në përmbushje të këtij angazhimi, RDPA ofron pozicionin e Ekspertit për Marrëdhëniet me Publikun (junior), i cili do të punojë me mbështetjen teknike të RDPA dhe nën supervizimin e plotë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

  1. QËLLIMI I POZICIONIT TË PUNËS

Eksperti për Marrëdhëniet me Publikun, do të punojë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të kontribuar në organizimin e takimeve dhe angazhimin e grupeve të interesit në kuadër të zhvillimit rajonal.

Në këtë kontekst, eksperti do të kontribuojë në koordinimin dhe organizimin efektiv të takimeve dhe në përfshirjen efektive të grupeve të interesit gjatë aktiviteteve të planifikimit, programimit dhe zbatimit të reformës së zhvillimit rajonal.

  1. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT
  • Të kontribuojë në organizimin e takimeve të përgjithshme dhe tematike ne kuadër të aktiviteteve për qëllim të zhvillimit rajonal;
  • Të kontribuojë në koordinimin e aktiviteteve këshilluese dhe promovuese në kuadër të projekteve/programeve të ndryshme;
  • Të punojë për koordinimin e agjendave dhe kalendaret e takimeve;
  • Të kontribuojë në sigurimin e përfshirjes së grupeve të interesit duke siguruar në të njejtën kohë mbështetje administrative të cilësisë së lartë;
  • Të koordinojë dhe dokumentojë feedback-un kyç nga takimet me partnerët kryesorë dhe palët e përfshira për çështjet dhe problemet e ngritura;
  • Të kontribuojë në përgatitjen e informacioneve periodike dhe prezantimeve mbi detyrat e lartpërmendura (minuta takimi, memo, prezantime, etj.).
  1. PROFILI I KANDIDATIT

Kandidati duhet të ketë diplomë master në gazetari, marrëdhënie me publikun, shkenca sociale, juridike apo degë tjetër që lidhet me fushën. Përbëjnë avantazh kualifikime të tjera në fushën e marëdhënieve me publikun, gazetarinë apo fusha të tjera të ngjashme

Kandidati duhet: të ketë njohuri mbi parimet e punës në komunitet dhe parimet e ngritjes së partneriteteve; të krijojë dhe mbajë marrëdhënie efektive dhe pozitive me anëtarët e tjerë të stafit, klientët dhe partnerët; të punojë në mënyrë të pavarur në disa aktivitete në të njëjtën kohë; të ketë njohuri mbi proceset dhe procedurat e FSHZH-së; të ketë aftësi të krijojë prezantime dhe materiale promovuese; të zotërojë në mënyrë të shkelqyer gjuhën angleze (te shkruar dhe të folur); të ketë aftësi të shkëlqyera organizative; të ketë aftësi të shkëlqyera komunikuese (zotësi të demonstruar për të komunikuar informacionin në mënyrë koherente dhe konçize).

Të ketë minimalisht 3 vjet eskperiencë pune në profesion; Eksperienca të mëparshme në menaxhimin e eventeve dhe angazhimin e grupeve të interesit.

  1. APLIKIMI

Të gjithë të interesuarit, janë të lutur që të dërgojnë CV dhe letër interesi nëpërmjet adresës së e-mailit burimenjerezore@albaniandf.org.

Afati i fundit për aplikim: 04 mars 2022.

  1. VLERËSIMI/INTERVISTIMI

Faza I: Aplikimet e mbledhura do të shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit. Kandidatët që plotësojnë kriteret, do të njoftohen për të zhvilluar një intervistë me përfaqësues të FSHZH dhe RDPA.

Kandidatët që do të përzgjidhen pas intervistës do të njoftohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore për takimin pranë zyrave të FSHZH për të vijuar me fazën e dytë.

Faza II: Vlerësim për aftësitë e bashkëpunimit dhe komunikimit për një tematikë të caktuar nga Komisioni i Vlerësimit.

Kandidatët fitues të fazës së dytë do të njoftohen të fillojnë punën duke lidhur kontratën individuale përkatëse.