1. PROFILI I FSHZH

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është organizatë zhvillimore që i përgjigjet sfidave dhe partnerëve të saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. E themeluar që në vitin 1993, FSHZH ka një përvojë 29- vjeçare në zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton projekte/programe të larmishme në fusha të ndryshme me fokus në infrastrukturë rrugore, zhvillim urban, shërbime utilitare, turizëm, bashkëpunim ndërkufitar dhe kryen aktivitetin në Zyrën Qendrore dhe në katër rajone: Tiranë, Korçë, Shkodër e Vlorë.

Reforma e Zhvillimit Rajonal konsiderohet nga Qeveria Shqiptare si një objektiv i rëndësishëm kombëtar. Në këtë kontekst, Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri (RDPA), një projekt i Qeverisë Zvicerane dhe Austriake, është duke mbështetur Qeverinë Shqiptare, në disa prej aktiviteteve, për të çuar përpara Reformën për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin.

RDPA ofron pozicionin e Ekspertit për Planifikimin Strategjik, Programimin dhe Shkrimin e Projekteve, i cili do të punojë me mbështetjen teknike të RDPA-së dhe nën supervizimin e plotë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

  1. QËLLIMI I POZICIONIT TË PUNËS

Eksperti për planifikimin strategjik, programimin dhe shkrimin e projekteve do të punojë dhe kontribuojë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), për koordinimin e punës për përgatitjen e planit strategjik të zhvillimit rajonal, planeve rajonale të zhvillimit dhe programit(eve) operacionale.

Eksperti për planifikimin strategjik, programimin dhe shkrimin e projekteve do të kontribuojë në identifikimin dhe përgatitjen e projekteve strategjike dhe përfshirjen e tyre në programin operacional.

  1. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT
  • Të kontribuojë në përgatitjen e diagnozës dhe analizës së plotë të kontekstit socio-ekonomik si dhe te sektorëve të ndryshëm në kuadër të përgatitjes së dokumenteve strategjike planifikuese dhe programore;
  • Të kontribuojë në proceset e vizionimit dhe konceptimit të zhvillimit të territorit si pjesë e hartimit të dokumenteve strategjike në nivel kombëtar, rajonal, lokal apo sektorial;
  • Të kontribuojë në përcaktimin e prioriteteve dhe drejtimeve strategjike të zhvillimit rajonal;
  • Të kontribuojë në shkrimin dhe përgatitjen e dokumenteve strategjike të planifikimit dhe programimit;
  • Të kontribuojë në hartimin e planeve të punës për hapat e ndryshëm të procesit të planifikimit dhe programimit strategjik dhe në koordinimin e punës me të gjithë aktorët e nevojshëm për t’u përfshirë në proces;
  • Të kontribuojë në përgatitjen dhe dizenjimin e një baze të dhënash gjithëpërfshirëse në funksion të planifikimit strategjik në për zhvillimin rajonal;
  • Të kontribuojë në hartimin dhe dizenjimin e sistemit të monitorimit dhe vlerësimit të planeve strategjike dhe programeve operacionale;
  • Të kontribuojë në identifikimin dhe hartimin e projekteve strategjike në kuadër të zhvillimit rajonal, dhe përfshirjen e tyre në programet operacionale;
  • Të kontribuojë në ndjekjen e detyrave të tjera që lidhen me planifikimin strategjik dhe programimin për zhvillimin rajonal.
  1. PROFILI I KANDIDATIT

Kandidati duhet të ketë diplomë master në planifikim urban, ekonomi (menaxhim biznes), juridik dhe të ngjashme me to.

Kandidatët duhet: të ketë njohuri të legjislacionit në fuqi për fushën e veprimtarisë; të ketë njohuri të dokumenteve strategjike dhe politikave të zhvillimit të vendit; të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze (të folur dhe të shkruar); të zotërojë aftësi të mira menaxhimi, koordinimi dhe vlerësimi të veprimtarisë dhe përdorimit të burimeve në dispozicion; të zotërojë aftësi komunikimi në mënyrë efektive, përfshirë aftësinë për të demonstruar, udhëzuar, shpjeguar, bindur, negociuar dhe lehtësuar diskutimet dhe mbledhjet, për grupe të mëdha; të ketë njohuri të mira mbi përdorimin e programeve bazë kompjuterike, duke përfshirë MS Word, Excel dhe PowerPoint.

Të ketë minimalisht 5 vjet eksperiencë pune në hartimin dhe zbatimin e politikave; Eksperiencë në prezantime të ndryshme lidhur me fushën e veprimtarisë; Eksperienca në zhvillimin ekonomik lokal dhe rajonal përbën avantazh.

  1. APLIKIMI

Të gjithë të interesuarit, janë të lutur që të dërgojnë CV dhe letër interesi nëpërmjet adresës së e-mailit burimenjerezore@albaniandf.org.

Afati i fundit për aplikim: 04 mars 2022.

  1. VLERËSIMI/INTERVISTIMI

Faza I: Aplikimet e mbledhura do të shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit. Kandidatët që plotësojnë kriteret, do të njoftohen për të zhvilluar një intervistë me përfaqësues të FSHZH dhe RDPA.

Kandidatët që do të përzgjidhen pas intervistës do të njoftohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore për takimin pranë zyrave të FSHZH për të vijuar me fazën e dytë.

Faza II: Vlerësim për aftësitë e bashkëpunimit dhe komunikimit për një tematikë të caktuar nga Komisioni i Vlerësimit.

Kandidatët fitues të fazës së dytë do të njoftohen të fillojnë punën duke lidhur kontratën individuale përkatëse.