Tiranë- Ndërsa vazhdon intensivisht puna në të dy segmentet e LOT II, që përshkon fshatrat Gjorm-Brataj-Ura e Laskos, në zona të caktuara janë shtuar edhe monitorimet. Shkak për këtë janë bërë disa problematika të hasura në fillim të segmentit gjatë gërmimeve dhe mbushjeve. Pas një inspektimi të kompanive që po kryejnë punimet, supervizionit dhe përfaqësuesve të FSHZH u dakordësua për shmangien e terrenit problematik duke identifikuar një gjurmë të re, e cila shkurton distancën dhe ul kostot.

Rruga e Lumit të Vlorës është projekt i financuar nga Qeveria Shqiptare, Fondi Kuvajtian dhe Fondi Saudit për Zhvillim. Rruga përshkon fshatrat e bashkive Vlorë, Selenicë dhe Himarë dhe do të mundësojë lidhjen e dy rrugëve nacionale (SH4-SH8), duke përfshirë edhe një degëzim që mundëson lidhjen me qytetin e Vlorës.

Çdo ditë kryhen prova dinamike, për shtresën e nënbazës dhe ka filluar puna për ndërtimin e veprave të artit. Për shtrimin me asfalt të rrugës së Lumit të Vlorës do të përdoret teknologjia e gjeotekstilit. Gjeotekstili përdoret gjerësisht në projektet e punimeve civile në vendet e zhvilluara. Ai përmirëson karakteristikat e tokës ku po ndërtohet duke e bërë atë më të qëndrueshme. Në këtë mënyrë ulen edhe kostot e mirëmbajtjes pas përfundimit të punimeve. Nëpërmjet gjeotekstilit është bërë i mundur ndërtimi i rrugëve edhe në terrene tepër të vështira. E njëjta teknologji është përdorur më herët për rikonstruksionin e Unazës Bujqësore të Lushnjes dhe do të përdoret edhe për rrugën Pogradec – Tushemisht, që ka filluar prej disa javësh.