Në funksion të rritjes së eficiencës, transparencës dhe aksesit të barabartë në mbështetjen financiare për ndërhyrje zhvillimore, FSHZH ka ndërtuar dhe vënë në funksion një platformë digjitale aplikimi për thirrjet e hapura që administron. Kjo platformë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet publike përfituese.
Platforma u shërben njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve të qeverisë qendrore, si përfituesit kryesorë të mbështetjes së FSHZH-së, duke u mundësuar aplikim tërësisht elektronik për ndërhyrje të parashikuara në kuadër të programeve të ndryshme buxhetore të menaxhuara nga Fondi. Përmes këtij sistemi, institucionet aplikuese kanë akses të përqendruar në një platformë të vetme në informacionin mbi thirrjet aktive, kriteret e aplikimit dhe dokumentacionin e kërkuar, si edhe mundësi për të aplikuar në kohë reale në thirrje të ndryshme për ndërhyrje specifike, përmes një procesi të thjeshtuar, transparent dhe plotësisht të gjurmueshëm.
Qasja digjitale synon të thjeshtojë, standardizojë dhe përmirësojë cilësinë e procesit të aplikimit, duke reduktuar barrën administrative dhe duke rritur saktësinë dhe plotësinë e aplikimeve të paraqitura. Njëkohësisht, platforma kontribuon në reduktimin e përdorimit të dokumentacionit në letër, duke reflektuar një angazhim konkret të FSHZH-së ndaj praktikave më të gjelbra, përdorimit efikas të burimeve dhe promovimit të inovacionit institucional.
Mbështetje për fuqizimin e kapaciteteve menaxhuese të bashkive nëpërmjet aplikimit të skemave të granteve, Faza II
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të ndërhyrjeve të programuara dhe të buxhetuara në Programin Operacional për periudhën afatmesme 2026–2028, në Programin e Financimit “Infrastruktura Vendore Rajonale”, ka parashikuar ndërhyrjen “Mbështetje për fuqizimin e kapaciteteve menaxhuese të bashkive”, nëpërmjet së cilës do të zbatohet edhe skema “Mekanizmi i Nxitjes së Kapaciteteve Bashkiake për Zbatimin e Projekteve – Faza II”.
Kjo nismë vjen në vijim të thirrjes së parë të hapur në vitin 2024, nga e cila përfituan 23 bashki, me synim forcimin e kapaciteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore në konceptimin, menaxhimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore rajonale në sektorë të ndryshëm të zhvillimit.
Projekti ka si qëllim të forcojë kapacitetet e bashkive për të funksionuar si struktura më të afta zbatuese të ndërhyrjeve zhvillimore. Njëkohësisht, ndërhyrja synon të kontribuojë në forcimin e identitetit zhvillimor të zonave dhe në rritjen e ndikimit të drejtpërdrejtë të ndërhyrjeve në komunitet.
Në këtë kuadër, projektet synojnë të orientojnë zhvillimin vendor në përputhje me funksionet dhe potencialet e territoreve, duke nxitur iniciativa që kontribuojnë në profilizimin zhvillimor të rajoneve dhe në forcimin e rolit të tyre në sistemin rajonal dhe kombëtar.
Aplikimi do të jetë elektronik dhe do të kryhet në sistem në lidhjen:
Kjo thirrje do të rrijë e hapur deri në datën 15.07.2026
Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike, Faza V
Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është transformimi i konektivitetit rajonal dhe vendor midis zonave urbane kryesore, zonave ekonomike, zonave prodhuese, qendrave të shërbimeve nëpërmjet përmirësimit të shtresave asfaltike, strukturave dhe mbrojtjes rrugore.
Kjo thirrje ka si qëllim identifikimin e projekteve të mundshme për tu zbatuar në kuadër të kësaj ndërhyrje duke përdorur qasjen bottom-up të caktimit të prioriteteve, bazuar në kërkesat e njësive të vetqeverisjes lokale, të cilët janë përfituesit e kësaj pakete ndërhyrje.
Tipologjitë e ndërhyrjes që mund të financohen nëpërmjet kësaj thirrjeje janë të fokusuara vetëm në rrugë ekzistuese, të qëndrueshme nga pikpamja e bazamentit dhe kanë dëmtim të shtresave sipërfaqësore apo kanë nevojë për ndërhyrje të kufizuara në strukturën e saj vetëm në segmente të veçanta. Nuk përfshihen nën këtë paketë ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore, ujësjellës kanalizime, trotuare etj. Këto zëra mund të jenë bashkëkontribut nga ana e bashkisë.
Aplikimi do të jetë elektronik dhe do të kryhet në sistem në lidhjen:
Apliko: Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike, Faza V
Thirrja do të rrijë e hapur deri në ezaurimin e plotë të fondeve në dispozicion për këtë ndërhyrje.
Ndërhyrje për rigjenerim urban të stokut të banesave, Faza IV
Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është përmirësimi i kushteve të banimit dhe rritja e eficiencës energjetike në ndërtesat ekzistuese, përmes rehabilitimit të fasadave dhe aplikimit të sistemeve termoizoluese. Ndërhyrja synon të reduktojë humbjet e energjisë, të përmirësojë komoditetin termik për banorët dhe të rrisë mbrojtjen e ndërtesave ndaj faktorëve atmosferikë.
Përmes kësaj pakete investimi synohet transformimi i blloqeve të banimit në hapësira më funksionale, më estetike dhe më të qëndrueshme. Rehabilitimi i fasadave do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e pamjes urbane, në rritjen e cilësisë së jetës së komunitetit dhe në krijimin e një mjedisi më të rregullt e më tërheqës për banorët dhe qytetin.
Ndërhyrja ka gjithashtu për qëllim të vijojë modelet pozitive të investimeve të mëparshme, duke iu përgjigjur kërkesave të bashkive për këtë tipologji projektesh. Përmes sistemit kapotë dhe termoizolimit të fasadave, projekti kontribuon në uljen e konsumit të energjisë, rritjen e vlerës së pronave dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban në zonat ku do të zbatohet.
Aplikimi do të jetë elektronik dhe do të kryhet në sistem në lidhjen:
Apliko: Ndërhyrje për rigjenerim urban i stokut të banesave, Faza IV
Thirrja do të rrijë e hapur deri në ezaurimin e plotë të fondeve në dispozicion për këtë ndërhyrje.
Përmirësimi i transportit dhe aksesit nëpërmjet ndërhyrjeve në rrugët e bardha FAZA III
Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është përmirësimi i transportit dhe rritja e aksesit në zonat rurale, përmes ndërtimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të rrugëve të bardha. Ndërhyrja synon të forcojë konektivitetin territorial, të lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe të mallrave, si dhe të rrisë sigurinë dhe funksionalitetin e rrjetit rrugor rural.
Përmes kësaj pakete investimi synohet përmirësimi i lidhjes së komuniteteve rurale me qendrat administrative, tregjet, shërbimet sociale, institucionet arsimore dhe shëndetësore, si dhe me akset kryesore të transportit. Ndërhyrjet në rrugët e bardha do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e izolimit të zonave rurale, në rritjen e mundësive për punësim dhe në mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal.
Tipologjitë e ndërhyrjes që mund të financohen nëpërmjet kësaj thirrjeje janë të fokusuara në ndërtimin e rrugëve të bardha në gjurmë ekzistuese ose në gjurmë të re, në ndërhyrje inxhinierike për stabilizimin e rrëshqitjeve, vendosjen e veprave të artit etj. Nuk përfshihen nën këtë paketë përmirësimi i shtresave asfaltike, ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore, ujësjellës kanalizime, trotuare etj. Këto zëra mund të jenë bashkëkontribut nga ana e bashkisë.
Aplikimi do të jetë elektronik dhe do të kryhet në sistem në lidhjen:
Apliko: Përmirësimi i transportit dhe aksesit nëpërmjet ndërhyrjeve në rrugët e bardha FAZA III
Thirrja do të rrijë e hapur deri në ezaurimin e plotë të fondeve në dispozicion për këtë ndërhyrje.
Mbështetje për realizimin e projekteve infrastrukturore bashkiake, përmes bashkëpunimit të përbashkët me materiale dhe lëndë të para pune, Faza IV
Kjo paketë ndërhyrjeje synon të mbështesë bashkitë në përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe komunitare përmes furnizimit me lëndë të para ndërtimi të nevojshme për mirëmbajtje, rehabilitim dhe rikualifikim urban. Nevoja për këtë mbështetje lidhet me sfidat që shumë njësi të vetëqeverisjes vendore hasin në realizimin e projekteve infrastrukturore, për shkak të kufizimeve financiare dhe teknike, si dhe me amortizimin e infrastrukturave ekzistuese.
Në shumë zona, rrugët e asfaltuara dhe ato me çakëll kërkojnë ndërhyrje për të garantuar lëvizshmëri dhe akses më të mirë për banorët dhe aktivitetet ekonomike. Gjithashtu, rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve shpesh janë të dëmtuara ose të pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat aktuale të komuniteteve. Paralelisht, hapësirat publike dhe elementët e mobilimit urban kanë nevojë për modernizim dhe përmirësim.
Përmes kësaj pakete, bashkitë do të pajisen me materiale ndërtimi për realizimin e ndërhyrjeve prioritare në territor, duke rritur kapacitetet e tyre për të adresuar në mënyrë më të shpejtë dhe efektive problematikat infrastrukturore. Kjo pritet të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin lokal dhe cilësinë e jetës së komuniteteve përfituese.
Aplikimi do të jetë elektronik dhe do të kryhet në sistem në lidhjen:
Thirrja do të rrijë e hapur deri në ezaurimin e plotë të fondeve në dispozicion për këtë ndërhyrje
Mbështetje për gjallërimin e aktivitetit social-kulturor në funksion të forcimit të identitetit rajonal dhe lokal, Faza III
Qëllimi i kësaj pakete është rritja e ndërveprimit social në komunitet, me qëllim krijimin e një fryme komunitare pozitive, si dhe kombinimin me elementët e tjerë të sistemit dhe me territorin, nëpërmjet promovimit të vlerave në zonë, promovimit të produkteve ekonomike, rritjes së aftësive menaxheriale të bashkive apo edhe të ardhurave.
Kjo thirrje ka si qëllim identifikimin e projekteve të mundshme për t’u zbatuar në kuadër të kësaj ndërhyrjeje, duke përdorur qasjen bottom-up të caktimit të prioriteteve, bazuar në kërkesat e njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat janë përfitueset e kësaj pakete ndërhyrjeje.
Tipologjitë e ndërhyrjeve që mund të financohen nëpërmjet kësaj thirrjeje përfshijnë një gamë të gjerë eventesh me karakter komunitar, sportiv, natyror, kulturor, ekonomik, tregtar, qytetar, edukativ dhe shkencor. Në këtë kuadër, mund të mbështeten evente komunitare, si karnavale, parada, ceremoni për ndarjen e çmimeve, festa sociale, mbledhje apo grumbullime të ndryshme, të cilat synojnë nxitjen e pjesëmarrjes dhe ndërveprimit të komunitetit. Gjithashtu, mund të financohen evente sportive, natyrore dhe kulturore, përfshirë konkurse sportive për profesionistë dhe amatorë, aktivitete rekreative, sporte dhe lojëra argëtuese, si dhe aktivitete kulturore të lidhura me festivale, festa fetare apo festa të trashëgimisë kulturore. Thirrja mbështet edhe evente të promovimit dhe ndërveprimit ekonomik e tregtar, të tilla si panaire, tregje, ekspozita, evente publicitare, takime dhe konventa, që kontribuojnë në promovimin e produkteve dhe potencialeve lokale. Përveç tyre, mund të përfshihen edhe evente qytetare dhe të shoqërisë civile, si aktivitete ndërgjegjësimi apo promovimi publik, si dhe evente edukative dhe shkencore, përfshirë seminare, workshop-e, kongrese dhe forma të tjera të ngjashme organizimi.
Aplikimi do të jetë elektronik dhe do të kryhet në sistem në lidhjen:
Thirrja do të qëndrojë e hapur deri në ezaurimin e plotë të fondeve në dispozicion për këtë ndërhyrje.