Tiranë- Gjetja e zgjidhjeve teknike miqësore me natyrën mbetet një ndër sfidat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht kur vjen fjala për projektet infrastrukturore. Për një impakt pozitiv dhe afatgjatë të një projekti zgjidhjet teknike duhet të jenë në harmoni me natyrën. Në shumë raste zgjidhjet mund të gjenden te natyra vetë.

Ky është rasti i skemave të ujësjellësve me gravitet, një teknikë miqësore me natyrën dhe me kosto të ulët ndërtimi, mirëmbajtjeje dhe menaxhimi. Këto skema sigurojnë furnizimin me ujë nga burimi te konsumatori nëpërmjet rënies të lirë, pa pasur nevojë të përdoren pompa.

Prej vitit 2010 Fondi Shqiptar i Zhvillimit është aktiv në ndërtimin e skemave të ujësjellësve me gravitet. Pas përfundimit me sukses të programeve për Ndërtimin e Ujësjellësve Ruralë i dhe II, financuar nga Qeveria Shqiptare  dhe Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW. Përmes këtyre programeve u ndërtuan 47 skema ujësjellësish për rreth 60,000 banorë të qarqeve Kukës, Dibër dhe Shkodër. Këtë vit FSHZH filloi zbatimin e programit të tretë.

 

Financimi për programin FUZR III kap shifrën e 39.97 mln Eurove dhe i janë bashkuar edhe partnerë të tjerë financiarë si Bashkimi Euorpian, Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Deri në vitin 2021 janë parashikuar të ndërtohen të paktën 23 skema për 83 fshatra në 14 Bashki të vendit. Numri total i përfituesve është përllogaritur në rreth 83,000 banorë.

Potenciali për të ndërtuar ujësjellës me gravitet ka qenë një ndër kriteret kryesore për përzgjedhjen e ujësjellësve që po financohen nga FUZR III. Përveç kostove të ndërtimit, ujësjellësit me gravitet kanë edhe kosto më të ulëta mirëmbajtjeje dhe menaxhimi, çka është një garanci më shumë për jetëgjatësinë e investimit dhe impaktit te banorët. FSHZH bashkëpunon me ngushtë me bashkitë e përzgjedhura, të cilat janë njëkohësisht edhe pjesë e financimit me 10% të shumës. Instalimi i matësve për çdo konsumator është një tjetër problematikë që adreson programi. Uji është një pasuri kombëtare, por edhe një mall që si çdo mall tjetër kur konsumohet duhet paguar. Në këtë mënyrë synohet edhe të rritet ndërgjegjësimi i konsumatorëve për përdorimin e përgjegjshëm të tij.