Ka shumë pasiguri mes banorëve të zonave të prekura pas tërmetit. Shumë pyetje dhe kërkesa u drejtohen grupeve të vlerësimit me inxhinierë shqiptarë dhe të huaj, të cilët janë çdo ditë në terren. Në sytë e tyre shpresa dhe padurimi kanë të njëjtin intensitet. Elton Kallabaku, pjesë e trupës së inxhinierëve që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka dërguar në terren që në orët e para pas tërmetit thotë se banorët kërkojnë garanci. Në shumë raste përveç inxhinierit i është dashur të bëjë edhe psikologun. Trauma është e madhe, madje më e madhe se dëmet në ndërtesa.  “Ka shumë pasiguri. Edhe në objektet që janë shumë pak të dëmtuara banorët kërkojnë që të kryhet inspektimi për t’i dhënë njëfarë garancie apo sigurie. Jemi munduar të bëjmë shpjegime lidhur me shkallën e dëmtimit në rast se objekti është i banueshëm. Çfarë duhet të bëjnë, çfarë duhet të kenë kujdes,” thotë Kallabaku.

Krahas zonave të tjera të prekura, Durrësi ka qenë në fokus të inspektimeve nga 32 inxhinierë të FSHZH-së dhe 10 inxhinierë nga kompanitë e supervizionit partnere me FSHZH. Ata janë angazhuar vullnetarisht në inspektime në bashkëpunim me ekspertë të ardhur nga Franca, Kroacia, Greqia, Sllovenia e Izraeli.

Pas inspektimit, për çdo godinë plotësohen formularët përkatës dhe dërgohen në kohë reale në databazën e të dhënave që i është vënë në dispozicion strukturave menaxhuese. Çdo inspektim verifikohet nga një grup i dytë ekspertësh në terren, për të garantuar që banorët t’u kthehen shtëpive të tyre me besim dhe shpresë.