Pasojat e fatkeqësive natyrore dhe menaxhimi i procesit të rimëkëmbjes ka një impakt të drejtpërdrejtë në jetët e qytetarëve dhe mund të ndryshojnë të ardhmen e një rajoni përgjithmonë. Në historinë moderne ka pasur shumë raste kur tërmetet apo fatkeqësi të ngjashme natyrore kanë shërbyer për të ndryshuar thelbësisht modelin e zhvillimit në zonat e prekura. Rindërtimi ofron mundësinë e zgjidhjes së problemeve, që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë: përmirësimi i standardeve të ndërtimit, rinovimi i infrastrukturës, krijimi i mënyrave të reja të përdorimit të hapësirave, ripërtëritja e ekonomisë dhe përmirësimi i qeverisjes.

Kjo është ajo çfarë synohet të bëhet në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit pas kalimit të fazës së parë të emergjencës. Komiteti i Rindërtimit që u ngrit menjëherë pas tërmetit ka në përbërje përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe lokale, inxhinierë e sizmiologë dhe organizata jofitimprurëse. Ky komitet do të mbikqyrë hartimin e programit të rindërtimit që do të fokuoshet në ringritjen dhe zhvillimin social, rigjallërimin ekonomik, ringritjen institucionale dhe rimëkëmbjen urbane dhe mjedisore. Bazuar në këto shtylla orientuese po punohet për hartimin e të gjithë komponentëve të programit dhe kuadrin ligjor përkatës me synim adresimin e pasojave në periudhë afat-mesme dhe afatgjatë për rimëkëmbjen tërësore të zonave të prekura.

Nëse do të dhurosh në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti kliko në https://e-albania.al/donate/ dhe ndihmo të prekurit nga tërmeti.