Objekti është i pozicionuar në qendër të qytetit dhe kufizohet nga 3 segmentet e rrugëve kryesore: rruga“Rina”, rruga “Reshit Collaku” dhe rruga “Gani Butka”. Rehabilitimi i kësaj zone, për nga vetë pozicioni strategjik do të ndikojë në zhvillimin e qytetit, duke i dhënë zonës një dimension turistik e ekonomik. Gjithashtu projekti konsiston në rehabilitimin e saj duke ruajtur gjuhën arkitektonike të objekteve të zbatuara me të cilat lidhet. Projekti parashikon krijimin e shesheve të vogla për qytetarët, me stola dhe gjelbërim, duke ruajtur të njëjtën gjurmë të rrugëve të Bllokut.

Projekti është i ndarë në seksione që vijojnë:

  • Sistemim i rrugës “Rinia” dhe rrugës “Reshit Collaku”

Është parashikuar që rruga “Rinia” dhe rruga “Reshit Collaku”, nga kryqëzimi tek Kisha deri te kryqëzimi në afërsi të Postës të asfaltohet pasi, si dy akse kryesore të përballimit të fluksit të lëvizjes së makinave në qytet gjendja e tyre është e amortizuar dhe shfaq probleme qarkullimi. Gjithashtu në këto dy rrugë do të ndërhyhet dhe në trotuarë në të dy krahët, në kanalizimin e ujërave të shiut si dhe në vendosjen e ndriçimit më të mirë.

  • Sistemimi i trotuarit të rrugës “Gani Butka”

Ne këtë pjesë do të trajtohet trotuari, i cili ka probleme si dhe do të sistemohen shkallët dhe sheshet para njësive të biznesit.

  • Sistemimi i bllokut nr.2

Projekti synon të përmirësojë infrastrukturën e bllokut nr. 2. Ndërhyrja do të kryhet në rrugë, trotuare, sheshe, parkime dhe në rikonstruksionin e fasadave të pallateve. Do të rikualifikohen sheshet dhe parkimet në zonë, si një zonë mjaft e populluar dhe e frekuentuar e qytetit. Gjithashtu janë parashikuar linja të reja ndriçimi si dhe kanalizimi i ujërave të shiut.