Ndërhyrje për përmirësimin e segmentit rrugor Boboshticë – Dardhë

Tiranë- Fshatrat Boboshticë dhe Dardhë janë pjesë e programit të 100 fshatrave, i cili synon përmirësimin e  infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, si dhe zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor. Të njohura për ushqimet tradicionale, natyrën e pasur dhe turizmin malor këto fshatra janë atraksione të cilat do të mirëpresin në vijim akoma dhe më shumë vizitorë, me rritjen e strukturave akomoduese, gjatë dhe pas përmirësimit të infrastrukturës publike.

Në këtë kuadër Qeveria Shqiptare me fokus jo vetëm në akset kombëtare, por edhe në rrugët rurale synon të sjellë një impakt drejtpërdrejtë pozitiv, në rritjen e ekonomisë lokale. Ndërhyrja e radhës është ajo për përmirësimin e infrastrukturës në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë, në zbatim përmes programit “Infrastruktura Vendore Rajonale” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Projekti fillon në fund të fshatit Boboshticë dhe përfundon në fillim të fshatit Dardhë dhe është pjesë e aksit kryesor që lidh rrugën nacionale Korçë-Ersekë me fshatin Dardhë. Kjo rrugë paraqitej e amortizuar shtuar këtu pas çdo dimri me ngrica e borë, që sillte degradim të mëtejshëm të asfaltit gati inekzistent. Tashmë kjo rrugë përmes përmirësimit të infrastrukturës do të jetë lehtësisht e arritshme dhe do të plotësojë  kështu prezantimin e ofertës turistike për vizitorët vendas e të huaj.