Rezervuari artificial aktualisht zë një sipërfaqe prej 12 000 m2, sipërfaqe kjo e cila nuk është funksionale as për vaditje dhe as për ta shfrytëzuar si ambient çlodhës. Ky liqen është krijuar për ujitjen e tokave bujqësore përreth dhe ka funksionuar për një kohë të gjatë. Por vitet e fundit ky liqen nuk është mirëmbajtur dhe nuk është pastruar asnjëherë, prandaj vihet re dhe ngushtim i rrezes së tij për shkak të mbushjes me llumra të shtratit, si dhe në pjesën më të madhe është i mbushur me bimë të cilat rriten në ujë. 

Hapësirat rekreative dhe argëtuese publike në këtë qytet nuk i plotësojnë kërkesat dhe nevojat e këtij komuniteti. Në veri të qytetit ndodhet rezervuari artificial i veçuar nga pjesa urbane e tij dhe rikualifikimi urban do të ndikojë pozitivisht në jetesën e banorëve të këtij komuniteti. Ky projekt përfshin rehabilitimin total të rezervuarit artificial i cili ndodhet në lagjen “18 Prilli”, qyteti Ballsh. Rëndësia e rikonceptimit të rezervuarit artificial dhe zonës përreth tij ndikon pozitivisht në zhvillimin e zonës, përmes krijimit të hapësirave të nevojshme rekreative.

Ndërhyrja është ndarë për efekt studimi, si më poshtë vijon:

  • Pjesa e parë është pastrimi i rezervuarit artificial

Sipërfaqja e përgjithshme që zë liqeni artificial është 12 000 m2, sipërfaqe e cila duhet ti nënshtrohet pastrimit. Pastrimi i kësaj sipërfaqe do të ndikonte në rritjen e thellësisë së rezervuarit artificial, si dhe në zgjerimin e shtratit të tij.

  • Pjesa e dytë është ndërtim shëtitore rreth e qark ambientit të liqenit.

Kjo pjesë përfshin ndërtim shëtitore në zonën rreth e qark liqenit, si dhe ndërtim piste për biçikleta. Shëtitorja do të zërë një ambjent prej 3388 m2 dhe do të shtrihet përreth perimetrit të pistës së biçikletave, ndërsa pista e biçikletave zë një sipërfaqe prej 956 m2, dhe do të shtrihet edhe kjo përreth perimetrit të rezervuarit artificial.

  • Pjesa e tretë është ndërtim i ambienteve shlodhëse dhe argëtuese.

Kjo pjesë është e ndarë në 6 zona si më poshtë vijojnë:

  • Zona A e cila përfshin fushën e minifutbollit, e cila do të realizohet me tapet bari sintetik, tapet bari natyral si dhe rrethim me profile metalike me rrjetë bombike;
  • Zona B e cila përfshin punime për ndërtim fushe basketbolli dhe palestër në natyrë. Realizimi i tyre do të bëhet me anë të tapetit sintetik dhe natyral. Fusha e basketbollit zë një sipërfaqe gati 158 m2;
  • Zona C e cila përfshin 4 tavolina pingpongu me sipërfaqe 80 m2, 3 fushat e lojës së traut të ekuilibrit 31.8 m2, si dhe zona me çakëll me sipërfaqe 265 m2;
  • Zona D e cila përfshin fushën me goma dhe bar artificial me sipërfaqe 474 m2, si dhe fushën e murit me ngjitje me sipërfaqe 12.1 m2. Në këtë fushë do të vendosen lojra të ndryshme si është loja kodrinë, loja rrotulluese, loja e kombinuar, dhe muri me ngjitje;
  • Zona E e cila përfshin fushën me rërë me sipërfaqe 423.2 m2. Në këtë fushë do të vendosen lojra të ndryshme.
  • Zona F e cila përfshin ndërtimin e ambientit shlodhës dhe ambienteve argëtuese. Ambienti çlodhës është me verandë me sipërfaqe të përgjithshme 155.3 m2.

Ky projekt do të mundësojë një zgjidhje të qëndrueshme jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për vizitorët e fundjavave, duke nxitur dhe rritjen e iniciativave dhe përfitimeve socio-ekonomike.