Shqipëria ofron një potencial të lartë në zhvillimin e turizmit malor, falë peizazhit “të padëmtuar nga kurioziteti i njeriut”, ku kontrastet e forta ndërmjet luginave dhe kreshtave arrijnë deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Vlerat natyrore, kultura e popullsisë lokale, stili i jetesës dhe tradita kulinare shfaqen si avantazhet konkurruese. Kërkesat në rritje kanë sjellë nevojën në këto lokalitete për akomodim dhe rritje të iniciativave private ekonomike (bujtina, tregti-produkte bio etj). Ky sistem lokal, që të zhvillohet e prezantohet edhe më gjerë për origjinalitetin që mbart ka nevojë për mbështetje.

Në këtë kuadër, këto zona janë një prioritet i Qeverisë Shqiptare me fokus në akses dhe ndërlidhje, për të cilat FSHZH po zbaton një sërë investimesh në mënyrë që t’i sjellë më pranë të gjitha këto destinacione e potencialet e tyre të mëdha turistike.

Filluam në jug dhe jemi në Lotin e fundit për rikonstruksionin e rrugës së Lumit Vlorë, 24 km i cili ka një degëzim që e lidh me Kuçin, dhe një tjetër që do të bëjë lidhjen e Tepelenës me rrugën e Lumit të Vlorës. Dhe këto janë pikërisht akset Kuç – Gusmar dhe Lekdush – Bençë, investime që do t’i japin jetë turizmit malor. Dhe nuk përfundon me kaq. Do të kryhet rikonstruksioni i rrugës “Përmet – Çarshovë”, pjesë e segmentit rrugor Tepelenë – Korçë – Kapshticë.

Segment i rëndësishëm për lëvizjen dhe transportin nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas. Për t’u shtrirë më tej në të gjithë Shqipërinë, ku do të gjeni dhe “ndërhyrjet seri” në veri të vendit, Tamarë, Koplik – Dedaj, Qafë Thore – Theth. Zona unike të cilat do t’i arrini më shpejt përmes infrastrukturës bashkëkohore. Transformimi i shtëpive të vjetra në bujtina apo ndërtimi i strukturave hoteliere rurale janë disa nga planet paraprake të banorëve apo sipërmarrësve, që do të vihen në zbatim me përfundimin e këtyre projekteve.