TIRANË – Rikualifikimi urban i fshatit turistik të Tamarës dhe rindërtimi i rrugës së Vermoshit drejt kufirit me Malin e Zi janë investimet e radhës që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të nisë në vjeshtë në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV: “Zhvillimi i Alpeve dhe Zonave Bregdetare” që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB).

 

Në fshatin Tamarë është planifikuar rehabilitimi i ndërtesave ekzistuese pranë qendrës së fshatit duke ruajtur karakteristikat arkitekturore. Edhe rikonstruksioni i çative do të bëhet sipas stilit tradicional. Ky është investimi i dytë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërmerr në Tamarë. Në vitin 2016, FSHZH përfundoi ndërtimin e sheshit të Tamarës dhe shëtitores pranë lumit Cem, si dhe rivitalizimin e ndërtesave të brezit të parë pranë sheshit qendror.

 

 

 

Paralelisht me ndërhyrjet në Tamarë, do të punohet për rindërtimin e rrugës lidhëse të Vermoshit me Malin e Zi. Bëhet fjalë për një segment prej 750 metrash, krejtësisht i lënë pas dore për shkak të përmbytjeve të lumit dhe që i mungonte prej kohësh zonës. Projekti parashikon ndërtimin e mbrojtjes lumore nëpërmjet gabioneve, si dhe rindërtimin e të gjithë segmentit nga Vermoshi deri në kufi.

Investimi pritet të nxisë lëvizshmërinë në itinerarin Shkodër – Tamarë – Vermosh drejt Malit të Zi dhe anasjelltas, që në Masterplanin e Alpeve kategorizohen si pjesë e “Portave të Shërbimeve”.

Masterplani i Alpeve dokumenti strategjik që u miratua vitin e kaluar, planifikon zhvillimin e integruar të rajonit në tërësi për 15 vitet e ardhshme me qëllim zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.