Investimi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore dhe rrjedh nga Masterplani i Alpeve

TIRANË – Ndërtimi i rrugës Qafë Thore – Theth është ndër projektet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po përgatitet të zbatojë në terren me qëllim zhvillimin e turizmit dhe rritjen e mirëqenies së banorëve dhe qytetarëve.

Ndërtimi i rrugës financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore dhe do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale”.

Më datë 13 korrik Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi takimin publik me komunitetin e Thethit për të diskutuar impaktin mjedisor dhe social të projektit për ndërtimin e rrugës Qafe Thore -Theth. Rruga është 16 kilometra e gjatë dhe lidh Thethin me Qafë Thorën, Bogën dhe Shkodrën. Ndër të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20 -30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët. Përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë.

 

  

Siguria rrugore dhe lehtësia në qarkullim ishin dy çështjet kryesore rreth të cilave u përqëndruan pyetjet e banorëve të komunitetit të Thethit. Puna planifikohet të fillojë pranverën e vitit të ardhshëm.

Projekti për rrugën Qafë Thore – Theth është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare. Dokumenti në fjalë, bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve dhe që u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit vitin e kaluar.

Krahas qasjes së integruar të investimeve për të gjithë rajonin, Masterplani përcakton qartësisht kornizën e rregullave të zhvillimit, duke e futur të gjithë rajonin në një cikël të ri zhvillimi me impakt afatgjatë.

Kështu, janë identifikuar 4 kategori lokalitetesh dhe është përcaktuar profili i zhvillimit për secilën kategori, duke orientuar qartësisht llojin e investimit dhe ndërhyrjet që do të lejohen në secilën prej kategorive. Klikoni në linkun e mëposhtëm për më shumë rreth Masterplanit të Alpeve:

Lexo me shumë për Masterplanin e Alpeve

Thethi, bashkë me  Lëpushën,  Vukël-Nikçin, Rragamin, Çeremin dhe Currajn e Epërm bën pjesë në kategorinë e tretë të lokaliteteve që është emërtuar si “Porta të atraksionit turistik”. Kjo kategori përfshin lokalitetet “Bërthamë” të Alpeve Shqiptare, që ndërthurin vlera të larta mjedisore me karakteristika të arkitekturës tradicionale që duhet ruajtur.