TIRANË – Fondi Shqiptar i Zhvillimit është bërë pjesë e nismës së Bankës Botërore për të promovuar barazinë gjinore në fushën e transportit.

Në Shqipëri rezulton se shkalla e diplomimit të femrave në arsimin e lartë është 64%, ndërsa e meshkujve 36%. Por pavarësisht kësaj, vihet re se femrat janë përqëndruar në mënyrë jo proporcionale në shëndetësi (85%) dhe arsim (74%), profesione më pak fitimprurëse krahasuar me ato të dominuara nga meshkujt, ku përfshihen inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi (63%) dhe fusha e shërbimeve (71%).

Kjo ndarje gjinore është reflektuar në tregun e punës ku më pak se 5% e të gjithë të punësuarve në sektorin e ndërtimit dhe më pak se 17% e të punësuarve në transport janë femra. Dukshëm, transporti është një sektor premtues sa i përket promovimit të mundësive ekonomike të femrave.

Si një institucion që prej vitesh është angazhuar në projektet e infrastrukturës, FSHZH po mbështet Bankën Botërore në një studim që ka për qëllim të identifikojë shkaqet që kanë çuar në dallime gjinore kaq të dukshme në tregun e punës në fushën e transportit. Bashkëpunimi për këtë studim përfshin partnerë të FSHZH si ministritë, njësitë e qeverisjes vendore, organizata simotra ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, etj.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një ndër institucionet që ka vendosur një shembull pozitiv sa i përket arritjes së barazisë gjinore në institucion. Aktualisht, 53% e stafit të FSHZH janë femra, ndërkohë që 1 nga 4 departamentet drejtohet nga një femër.

Studimi do të zgjasë për një periudhë 9-mujore.Në fund të kësaj periudhe gjetjet dhe rekomandimet për ndryshimin e situatës do të ndahen me të gjithë aktorët e përfshirë në studim, por edhe me aktorë të rëndësishëm në vendim-marrje, në mënyrë që të bëhen rekomandime specifike për promovimin e pjesëmarrjes së femrave në fushën e transportit.