Zbatimi i rregullave të lojës të barabarta për të gjithë rrit konkurrencën e ndershme dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara përkundrejt vlerës në dispozicion. 

 

TIRANË – Transparenca në prokurime është pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm. Përmes procedurave transparente të prokurimit mundësohet përdorimi me efikasitet i parave publike, nxitet konkurrenca e ndershme dhe zhvillimi ekonomik.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka transparencën një ndër vlerat kryesore të punës. Përmes rritjes së transparencës në prokurime përmbushen nevojat për mallra shërbime dhe vepra duke menaxhuar me efikasitet paratë publike dhe duke promovuar rezultate pozitive për vetë organizatën, si dhe për ekonominë, mjedisin dhe shoqërinë.

Gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2019, për projektet e menaxhuara nga FShZh janë kryer në total 27 procedura për punime civile, që përbëjnë 50% të totalit të procedurave të prokurimit.

215 operatorë ekonomikë kanë marrë pjesë në proces, ku rreth 45% prej tyre janë skualifikuar për mosplotësim të kritereve të vendosura në Dokumentacionin Standard të Tenderit. Numri i operatorëve të shpallur fitues është 30. Mesatarisht një operator është shpallur fitues vetëm për një kontratë.

 

Transparenca ndihmon në përdorimin e zgjuar të fondeve të destinuara për zhvillim, që shpesh janë të kufizuara në krahasim me nevojat. Me fjalë të tjera, duke zbatuar rregulla loje të barabarta për të gjithë, rritet konkurrenca e ndershme dhe cilësia e shërbimeve të ofruara përkundrejt vlerës në dispozicion.  Në këtë aspekt, vlera e fondit limit për 27 prokurimet e kryera për punimeve civile në total ishte 16,6 miliardë lekë. Ndërkaq, vlera totale e kontraktuar pas përfundimit të procedurave të prokurimit është rreth 12 miliardë lekë. Pra, rezulton të jenë kursyer përreth 30% nga fondit limit.

Ankimimi është pjesë e procedurave të prokurimit që kryhen për projekteve të financuara nga buxheti i shtetit, por edhe nga institucionet financiare të huaja. Për rreth 80% të procedurave të punimeve civile rezulton të mos ketë asnjë ankesë.  Ankimimet janë marrë në shqyrtim në të gjitha rastet dhe u është kthyer përgjigje brenda afatit ligjor. Ankesat janë gjetur të pabazuara në 100% të rasteve dhe nuk janë pranuar nga FSHZH, KPP apo donatorët.