TIRANË – Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e stacionit të pompimit dhe depos 50 m³ për furnizimin me ujë të zonave “Baba Rexhepi” dhe “Lugu i Dardhës”, Sarandë.  Pjesë e këtij investimi është edhe ndërtimi i rrjetit elektrik TU dhe TM për furnizimin e depos 2000 m³. Ndërkohë po punohet për lidhjen me energjinë elektrike dhe vënien në punë të pompës, që do të pasohet nga një periudhë prove ose kolaudimi, për t’u siguruar që gjithçka funksionon si duhet.

Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit  në kuadër të programit për Investimet Prioritare me Impakt në Turizëm.

 

Janë rreth 17,000 banorë lagjeve “Baba Rexhepi” dhe “Lugu i Dardhës” në Sarandë që do të përfitojnë ujë të pijshëm sipas parametrave më të mirë kimikë dhe fiziko-bakteriologjikë.

Përveç rritjes së sasisë së ujit të pijshëm dhe zgjatjes së orëve të furnizimit deri në 20-24 orë, nëpërmjet projektit synohet edhe që të minimizohen humbjet fizike të ujit në sistemin e shpërndarjes deri në 20%.

Projekti pritet të ketë impakt pozitiv në përmirësimin e furnizimit me ujë, shëndetin publik, si dhe ekonominë e zonës. Shërbimi i përmirësuar i furnizimit me ujë siguron kushtet e duhura higjienike, shërbime të përmirësuara turistike duke pasur parasysh faktin që Saranda është një ndër qytetet më të frekuentuar, veçanërisht gjatë sezonit veror.