TIRANË – Ka nisur puna për Rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës, në Bashkinë Shkodër. Investimi është pjesë e projektit “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës”, financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës përfshin një sipërfaqe prej rreth 20 mijë m². Ndërhyrja parashikon restaurimin e 2,000 m² fasada, ndërtimin e 1,500 m² çati të reja, ndërtimin e 1,700 m² parking publik, shtrimin e sheshit me pllaka guri mozaik, ndriçimin publik, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimet, punime gjelbërimi dhe mobilimi urban.

I gjithë koncepti ruan identitetin historik, urban dhe natyror të zonës. Për shembull parashkohen modele tradicionale për mozaikët e sheshit qendror që do të shtrohet dhe përdorimi i materialeve dhe ngjyrave të unifikuara për restaurimin e fasadave.

Punimet do të zgjasin 1 vit dhe parashikohet përfundojnë verën e ardhshme.

Projekti “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës” parashikon shndërrimin e zonës së Shirokës dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës në një destinacion të mirëfilltë turistik, që ofron hapësira urbane dhe natyrore të dedikuara për të gjithë të apasionuarit pas natyrës, historisë apo sportit.