FSHZH vijon konsultimet me banorët përfitues në kuadër të Programit
“Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III”

TIRANË – Projekti i investimeve për rikonstruksionin e dy ujësjellësve që do të furnizojnë banorët e 18 fshatrave në Bashkinë Tropojë është gati.

Fondi Shqiptar Zhvillimit zhvilloi këto ditë konsultime mbi projektin teknik me komunitetin e Njësive Administrative Tropojë dhe Llugaj.

Rreth 5,300 banorë do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky investim që parashikon furnizimin 24 orë me ujë higjienikisht të pastër nëpërmjet rënies së lirë nga burimet e Valbonës dhe Perlinat e Bardhat. Kjo mënyrë furnizimi jo vetëm është miqësore me natyrën, por ul edhe kostot e furnizimit me ujë të pijshëm.

Investimi do të shtrihet në fshatrat Astë, Tropojë Fshat, Kuçana, Myhejan, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel-Shpat dhe Fushë, Shumicë, Babinë, Begaj në Nj. A. Tropojë dhe Rrogam, Cërnicë, Dunishë, Bukovë dhe Llugaj në Nj. A. Llugaj.

Ujësjellësit në Njësitë Administrative Tropojë dhe Llugaj do të realizohen në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (RSW III), që zbatohet nga FSHZH dhe financohet nga qeveria shqiptare, Bashkëpunimi Gjerman, KfW dhe fondet IPA. Programi ka një financim total prej rreth 39 mln Eurosh dhe parashikon ndërtimin e skemave të ujësjellësve në disa të vendit.

Konsumatorët do të pajisen me matësa uji, ndërsa funksionimi dhe mirëmbajtja e ujësjellësve do të bëhet nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve pranë Bashkisë Tropojë. Punimet për ndërtimin e dy skemave të reja në Tropojë dhe Llugaj parashikohet të fillojnë gjatë vitit 2018.

Gjatë viteve të fundit FSHZH ka rikonstruktuar dhe ndërtuar e 5 skemave të tjera të furnizimit me ujë, nga të cilat kanë përftituar më shumë se 8,000 mijë banorë në 13 fshatra të NJA Bujan, Bytyç, Margegaj dhe Tropojë. Vlera e këtyre financimeve shkon në rreth 2.5 milionë Euro.