Drejt përfundimit Ura e Darzezës, Fier

Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes financimit nga Qeveria Shqiptare ka realizuar projektin për ndërtimin e Urës së Darzezës me të gjithë parametrat e nevojshëm dhe po vijon punimet për ndërtimin e “Urës së Madhe”  (cilësuar si Ura e Semanit) pjesë e rrugës Fier-Seman. Kjo e fundit pritet të përfundojë në pak muaj duke i dhënë akses turistëve për të frekuentuar zonat turistike.

Përmes kësaj ndërhyrjeje, zona bregdetare merr zhvillim dhe shpaloset një tjetër dimesion. Plazhi në zonë merr tjetër akses dhe kthehet në një destinacion të radhës për sezonin veror për shumë pushues.

Përpos aksesit ndërtimi i Urës së Darzezës tashmë me të gjithë elementët e duhur mundëson siguri, pasi vlen të nënvizojmë se më herët struktura e amortizuar e urës së ndërtuar para viteve’90, për këmbësorë e mjete shkaktonte situata deri në rrezik jete.

z. Armando Subashi

Kryetar i Bashkisë Fier
“Kjo është Ura e Semanit ku ndahen rrugët për Seman dhe Darzezë, janë dy plazhet e rëndësishme të Fierit duke filluar nga Karavastaja e deri në grykderdhje të Vjosës. Kështu që besoj se fillimi i projektit për Semanin nëpërmjet kësaj ure, është hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm drejt asaj strategjie që kemi ngritur për zhvillimin e zonës bregdetare që fatmirësisht vazhdon të jetë e virgjër. Kjo na jep mundësinë që edhe kundrejt një masterplani që e kemi biseduar të bëjmë gjënë e duhur në këtë vijë bregdetare. Këtu jemi në vijë mbarë në këtë projekt që po financohet nga qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.”
Rindërtimi i saj do të mundësojë lidhjen e fshatit Darzezë me qytetin e Fierit duke lehtësuar qarkullimin, mundësuar konektivitet me plazhet për publikun, si dhe koherencë në raport me zhvillimin urban, industrial e tregtar të zonës.