Njësia Administrative (NJA) e Ishëmit është pjesë e Bashkisë Durrës ku përfshihen 10 fshatrat (Kuraten Shkafanë, Lalëz, Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Rrotull, Draç, Bizë dhe Shetaj). Zona ndodhet në pjesën veri-perëndimore të Bashkisë dhe ka shtrirje të konsiderueshme në det, ku në vitet e fundit ka pësuar ndryshime rrënjësore duke i dhënë dimension urban zonës së Shkafanës dhe plazhit në Gjirin e Lalëzit.

FSHZH me rikonstruksionin e segmentit turistik Shkafanë-Lalëz-Ishëm synon të këtë ndikim në lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për lëvizjen në gjithë zonën. Segmenti përmirëson aksesin në zonën e Gjirit të Lalzit, ku në vijim të nxjerr në Bubq dhe bën lidhjen edhe me zonën e veriut, ku vizitorët nga Kosova mund të udhëtojnë nëpërmjet këtij aksi, duke ndikuar në lehtësimin e qarkullimit dhe uljen e trafikut. Gjithashtu rruga e Ishëmit mund të përdoret nga zona e jugut duke i dhënë frymëmarrje trafikut të shtuar gjatë sezonit turistik.

“Investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfshin rreth 8 km aks që nga hyrja e rrugës kryesore deri në dalje, të cilat lidhin Shkafanën me Lalzin dhe Lalzin me Ishmin, NJA Ishëm. Investimi ka si qëllim jo vetëm t’í shërbejë drejtpërdrejtë 4500 banorëve dhe 5 fshatrave por edhe udhëtarët që vijnë nga Fushe-Kruja, Kruja dhe turistëve që frekuentojnë Gjirin e Lalëzit kryesisht nga Kosova”, shprehet kryetrja e Bashkisë Durrës Znj. Emiriana Sako gjatë një vizite në terren, por duhet shtuar këtu edhe fakti që në këtë NJA banojnë 8,858 banorë.

Përgjatë gjatësisë së këtij aksi turistik, peizazhi është panoramik por edhe ofron mundësi për zhvillimin e aktiviteteve fitim prurëse në fushën e agroturizmit dhe më gjerë, duke ndikuar kështu në përmirësimin e cilësisë dhe standardin e jetesës. Gjithashtu, me përmirësimin e infrastrukturës rrugore bëhet më e prekshme Kalaja e Ishëmit si monument i trashëgimisë kulturore, duke i dhënë zonës turistike edhe mundësi për shfrytëzimin e turizmit kulturor.