Projekti për segmentin e rrugës Berat-Poliçan deri tek Mali i Shenjtë Tomorr pjesë e Bashkisë Poliçan është drejt përfundimit. Projekti është kryer në kushtet e një terreni malor të kufizuar për rrjedhojë ndërtimi i rrugës mbi gjurmën ekzistuese zgjidh problemet për lëvizjen e mjeteve dhe mallrave në këtë segment.

Si një projekt i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe me mbështjen e Qeverisë Shqiptare, karakterizohet për rëndesinë dhe ndikimin e madh në zhvillimin dhe promovimin e turizmit, duke shkurtuar gjithashtu kohën dhe rritur sigurinë në këtë segment. Ndërkohë me përfundimin e këtij projekti do të krijohen mundësi për investime në zonë në fushën e bujqësisë, blegtorisë por edhe turizmit fetar pasi ka numër të lartë vizitorësh, ku veçohet pelegrinazhi i përvitshëm për në Teqenë e Abaz Aliut me rreth 300-400 mijë vizitorë.

“Kjo rrugë është kaq e dëshiruar nga të gjithë besimtarët bektashinj, por jo vetëm, pasi rruga i shërben edhe turizmit’’, shprehet kryetari i qarkut Ervin Demo, e cila deri më tani ka bërë të mundur shkurtimin e 7 kilometrave, duke marrë vetëm 30 minuta për tek teqja e Abaz Aliut.

Nëpërmjet këtij investimi me ndikim në gjithë Qarkun e Beratit hapen rrugë të reja për investime dhe zhvillim të mëtejshëm, siç janë sportet hipizmi, ski etj. pasi zona ka klimë mesdhetare dhe bukuri natyrtore për të shijuar në të gjitha stinët. Ndër të tjera banorët e rinj të zonës duke përfituar nga lehtësia në lëvizje, e cila sot nuk ka nevojë për “makina të larta sportive” kanë parë mundësinë e zhvillimit të guidave lokale të cilat prezantojnë historinë dhe bukuritë e zonës përgjatë gjatësisë.