Aktualisht janë realizuar rreth 60% e punimeve

Projekti konsiston në “Rehabilitimin e rrugëve, shesheve dhe fasadave, blloku tek lagja nr. 2” duke përfshirë rikonceptimin dhe shtrimin me asfalt të rrugës nga Kisha e Re deri në qendër së bashku me rrugën “Rinia”. Gjithashtu do të vijojë me sistemimin dhe shtrimin e rrugëve të brendshme të lagjes që nga rrugët, trotuaret, hapësirat e gjelbëruara.

“Bashkia Pogradec është përfituese e këtij investimi, që përfshin rikualifikim të plotë të zonës, nga ndriçimi, gjelbërimi dhe restaurimi i plotë i rrugëve dhe fasadave të objekteve, për të sjellë një realitet të ri zhvillimi infrastrukturor në këtë zonë”, –bën me dije Bashkia Pogradec.

Rehabilitimi i kësaj zone, për nga vetë pozicioni strategjik do të ndikojë në zhvillimin e qytetit, duke i dhënë kështu një dimension ekonomik dhe turistik zonës. Ndërhyrja synon  në ruajtjen e karakteristikave arkitektonike të objekteve të zbatuara me të cilat lidhet.

Ky projekt integrohet më së miri me kontekstin e zonës. Projekti parashikon krijimin e shesheve të vogla për qytetarët, me stola dhe gjelbërim, duke ruajtur të njëjtën gjurmë të rrugëve të Bllokut.

Projekti është i trajtuar i ndarë në disa seksione.

1- Sistemim i rrugës “Rinia” dhe rrugës “Reshit Collaku”

2- Sistemimi i trotuarit të rrugës “Gani Butka”

3- Sistemimi i bllokut nr. 2

Ndërhyrja me financim të Qeverisë Shqiptare synon të përmirësojë infrastrukturën e bllokut nr. 2, dhe po zhvillohen punime në rrugë, trotuare, në sheshe, parkime dhe në rikonstruksionin e fasadave të pallateve. Gjithashtu janë parashikuar linja të reja ndriçimi dhe kanalizimet e ujrave të shiut. Si një zonë mjaft e populluar dhe e frekuentuar e qytetit rikualifikimi i shesheve dhe parkimeve është një domosdoshmëri në menaxhimin e lëvizjes dhe sigurimit të hapësirave çlodhëse për banorët.