Drejt përfundimit segmenti i munguar prej 30 vitesh, që sjell më pranë Alpet Shqiptare

Rreth 16 km të cilat së fundmi po asfaltohen, duke rritur qarkullimin dhe lëvizjen drejt një prej destinacioneve më të preferuara nga turistët. Thethi ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës, në zemrën e Alpeve Shqiptare, njohur për vlerat e mëdha natyrore, klimaterike dhe biodiversitetit duke e shpallur dhe Park Kombëtar.

Thethi gjithashtu është pjesë e projektit bamirës “Parku i Paqes në Ballkan”, i cili mbrohet dhe menaxhohet së bashku me Pejën dhe Plavën nga dy projekte të OKB-së dhe të BE. Me një numër të konsiderueshëm ujvarash, liqene nëntokësore, shpellash, maja të larta dhe lugina Thethi sfidon aventurierë nga e gjithë bota, për të zbuluar bukuritë e rralla, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme përfshirë hiking, çiklizmin, ngjitje në mal dhe vizitë nëpër shpella.

Përgjatë viteve të fundit infrastuktura dhe relievi e kanë bërë këtë zonë sa të lakmuar aq edhe të vështirë për t’u prekur nga vizitorët. Veçanërisht segmenti i cili më herët paraqitej gati i pakalueshëm, me rrezikshmëri të lartë sidomos gjatë sezonit të dimrit dhe me mungesë hapësirë për tu shkëmbyer automjetet shtonte shqetësimin dhe dyshimet në siguri, duke e shtyrë udhëtimin me arsyetimin “kur të bëhet rruga”. Ky element për një kohë të gjatë ka ndikuar në ekonominë lokale duke ulur njëkohësisht të ardhurat për banorët e zonës të cilët të patundur ruanin dhe vazhdojnë të ruajnë traditën e mikëpritjes dhe kulinarisë brez pas brezi.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bankën Botërore, në kuadër të “Programit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale”, është duke përfunduar një prej projekteve më ambiciozë, duke u vënë në shërbim të kërkesës së lartë për akomodim dhe prezantimit të vlerave të Theth tashmë të renditur në guidat botërore.

Përmirësimi i infrastrukturës ecën paralelisht me rritjen e numrit të strukturave akomoduese dhe shërbimeve, duke lënë pas izolimin në dekada për shkak të amortizimit të rrugës. Ajo çka vihet re lehtësisht është shtimi i iniciativave individuale, përkthyer në rritjen e numrit të bujtinave dhe zhvillimin e bizneseve në zonë.

Me përfundimin e këtij projekti zona bëhet lehtësisht e aksesueshme shtuar këtu sigurinë dhe komoditetin në transport. Me asfaltimin e këtij segmenti reduketohet koha e udhëtimit për në Theth, ndërkohë që mund të shijoni peizazhin piktoresk përgjatë gjithë gjatësisë.