1. PROFILI I FSHZH

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) është organizatë zhvillimore që i përgjigjet sfidave dhe partnerëve të saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. E themeluar që në vitin 1993, me një përvojë 28-vjeçare në zhvillimin e infrastrukturës, urbanizimit, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Besueshmëria, transparenca, efektiviteti dhe qëndrueshmëria janë parimet që udhëheqin Fondin Shqiptar të Zhvillimit në punën e tij me partnerët dhe donatorët. FSHZH aplikon metoda novative dhe është i orientuar drejt rezultateve afatgjata në interes të komuniteteve përfituese të projekteve që zbatohen prej tij.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton projekte/programe të larmishme në fusha të ndryshme me fokus në Infrastrukturë rrugore, Zhvillim urban, Shërbime utilitare, Turizëm, Bashkëpunim ndërkufitar dhe kryen aktivitetin në Zyrën Qendrore dhe në katër rajone: Tiranë, Korçë, Shkodër e Vlorë.

2. PROGRAMI I PRAKTIKAVE TË PUNËS

FSHZH organizon një Program të Praktikave të Punës afatgjatë me qëllim ofrimin e mundësisë së një përvoje pune në një mjedis dinamik dhe në bashkëpunim me profesionistë në fusha të ndryshme. Praktika do të ketë një kohëzgjatje 6 – 12 muaj në varësi të pozicionit të punës dhe do të ketë pagesë.

Praktikantët do të vendosen në zyrat e FSHZH, Tiranë. Nëse po përfundon apo ke përfunduar studimet në nivelin master dhe ke dëshirë të bashkosh energjinë tënde me ekspertizën prej tre dekadash të FSHZH apliko!

Përfitimet nga Programi i Praktikave të Punës:

√  Identifikimi dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore
√  Tërheqja dhe promovimi i talenteve të reja
√  Mundësi punësimi
√  Ndërveprim me profesionistë
√  Eksperiencë gjithëpërfshirëse

 

3. KËRKESAT PËR POZICIONE PUNE

Pozicioni  hapur për praktikantë është si më poshtë:

Specialistë pranë Departamentit të Menaxhimit të Projekteve/Programeve që merret me menaxhimin e projekteve dhe analizën në terma të ndjekjes së kostos, afatit dhe cilësisë, pranë Zyrës Qendrore, Tiranë.

4. PROFILI I KANDIDATËVE

Kandidatët duhet të jenë të diplomuar në nivelin Master Profesional/Shkencor ose studentë në vitin e fundit të nivelit master në profilet:

  • Arkitekturë-Urbanistikë (Arkitekturë, Planifikim & Zhvillim Urban, etj.);
  • Inxhinieri (Ndërtim, Hidroteknikë, Mjedis, Gjeo-Informatikë, etj.);
  • Shkenca Ekonomike (Financë-Kontabilitet, Biznes, Agro-Biznes, Marketing-Turizëm, Ekonomiks, etj.);
  • Shkenca Juridike;

Kandidatët duhet të kenë:

  • Njohuri të paketës MS-Office dhe të një gjuhë të huaj (preferohet anglisht);
  • Aftësi analitike;
  • Aftësi për të prezantuar, komunikuar dhe punuar në një ambient dinamik;
  • Integritet, energji dhe përkushtim për të kryer me sukses detyrat e ngarkuara gjatë këtij programi.

 

5. APLIKIMI

Aplikimi do të kryhet në formën e aplikimit në faqen web (më poshtë) duke paraqitur materialet e mëposhtme:

Curriculum Vitae (CV)

Video të shkurtër prezantuese të kandidatit/es (jo më shumë se 3 minuta) bazuar në tre drejtime: prezantim i vetes; synimet dhe pritshmëritë personale për të ardhmen; shtysat dhe arsyet pse dëshiron të jesh pjesë e FSHZH-së.

 

Në rast se nuk aksesohet forma e aplikimit, të interesuarit janë të lutur të dërgojnë materialet në adresën e-mail: burimenjerezore@albaniandf.org

Afati i fundit për aplikim: 23 nëntor 2021.

 

6. VLERËSIMI/INTERVISTIMI

Faza I: Intervistë online

Aplikimet e mbledhura do të shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit. Kandidatët që plotësojnë kriteret, do të njoftohen për të zhvilluar një Intervistë Online me përfaqësues të FSHZH.

Kandidatët që do të përzgjidhen pas intervistës online, do të njoftohen nga Njësia e Burimeve Njerëzore për takimin pranë zyrave të FSHZH për të vijuar me fazën e dytë.

Faza II: Vlerësim për aftësitë e bashkëpunimit dhe komunikimit për një tematikë të caktuar

Në këtë fazë, kandidatët do të njihen me një tematikë të caktuar dhe do të ndërveprojnë në grup përballë Komisionit të Vlerësimit. Ky ushtrim do të realizohet në ambientet e Zyrës Qendrore të FSHZH.

Kandidatët fitues të fazës së dytë do të fillojnë praktikën e punës me lidhjen e kontratës individuale përkatëse.