Qeveria Shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit vijon investimet në kuadër të zhvillimit ekonomik, dhe social në një prej zonave e cila ka marrë një zhvillim të jashëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit të aktiviteteve urbane dhe turistike në Gjirin e Lalzit.

Ndërhyrja në këtë rrugë përfshin degëzimin me rrugën Maminas – Shën Pjetër dhe përfundon në qendër të Njësisë Administrative Ishëm, konkretisht në pikën e takimit me aksin rrugor “Ura e Gjolës-Bubq-Ishëm” i cili është ndërtuar më parë nga FSHZH në kuadër të programit “Rikonstruksioni i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”.

Këto seri investimesh vijnë në funksion të kësaj zone e cila përbëhet nga 3 tipologji si:

a) zona bregdetare që ka njohur një zhvillim të madh 10 vitet e fundit të përkthyer në zhvillim urban të Shkafanës dhe të plazhit të Gjirit të Lalzit;

b) qyteza Ishëm si qendër adminstrative e përbërë nga katër fshatra me rreth 4.000 banorë dhe

c) pjesa lindore e kodrave i.e. Gjurica e teposhtë, që historikisht komunikon mes flukseve ekonomike me Fushe Krujën dhe me fushën e Lezhës.

Dinamikat demografike dhe ekonomike kanë sjellë nevojën e përmirësimit të infrastrukturës për të përballuar kështu fluksin e vetë banorëve dhe vizitorëve dhe për të krijuar një pol të ri aktivitetesh urbane dhe gjithashtu mbështetje logjistike të turizmit plazh dhe kodrinor (agroturizëm) në zonën e Shkafanë /Ishëm.