Tiranë- Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke zbatuar punimet për “Përmirësimin e segmentit rrugor 4 Rrugët Shijak – Nishtulla, si dhe degëzimi i rrugës Pularisë.” Një investim i pritur për qytetarët e këtyre zonave, përfitues direkt të cilët prej vitesh kanë mbartur pasojat e një rruge të amortizuar, të pakalueshme dhe me kosto shtesë. Bashkëlidhur këtu dhe fakti se në këtë zonë janë të përqëndruara shumë subjekte private, biznese të ndryshme kishin humbur frekuentimin e rrjedhimisht të ardhurat.

“Dhimbje koke” për drejtuesit e automjeteve të cilët shpenzonin më shumë kohë në kalimin e pak metrave, me shpresën se makina nuk do të cedonte diku.

Me financim të Qeverisë Shqiptare tashmë këto  segmente i janë nështruar rikonstruksionit dhe punimet e parashikuara për këtë aks përfshijnë: 1. Punime gërmimi dhe transporti 2. Punime skarifikimi dhe frezimi të shtresave ekzistuese të rrugës 3. Punime të nënshtresave të rrugës (shtrese cakulli dhe stabilizanti) 4. Punime për shtresat asfaltike (shtresë binderi dhe shtresë stabilizanti)

Vendosja e sinjalistikës së  re dhe asfaltimi do të jenë një lehtësim per përditshmërinë e vendasve dhe atyre që qarkullojnë në këtë zonë. Rimëkëmbje për bizneset e ndryshme që mund të ndalojnë pa problem tashmë, për të marrë produkte apo shërbime.