Tiranë- Kalaja e Tepelenës është një monument me vlera të jashtëzakonshme historike e kulturore. Në Mesjetë shquhej për pozitën e saj strategjike, duke pasur nën kontroll rrugët, nga Gjirokastra përgjatë luginës së Drinos dhe tjetra nga Përmeti gjatë luginës së Vjosës. Kalaja e Ali Pashë Tepelenës pozicionuar në veri të qytetit, u rindërtua prej Pashait më 1819 me një sipërfaqe 4-5 ha me tre hyrje dhe 3 kulla.Kjo kala ka patur brenda saraje, garnizone dhe ambiente të një jete aristokratike nisur kjo nga nga struktura solide dhe organizimi perfekt.

Aktualisht brenda kalasë së Ali Pashë Tepelenës janë ndërtuar shtëpi ku jetojnë afërsisht rreth 300 banorë. Këto ndërtime zënë një sipërfaqe të konsiderueshme brenda territorit të kalasë dhe nuk janë të integruara me arkitekturën historike rreth saj. Gjithashtu rrugët e brendshme janë të pasistemuara, gjë që pengon ndjeshëm zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

Projekti synon ndërhyrje në mbrojtje të origjinalitetit dhe historisë, që kalaja të rimarrë vlerat e saj historike dhe të bëhet e vizitueshme nga turistë vendas dhe të huaj. Projekti i rikonstruksionit të rrugëve përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara në detyrën e projektimit. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të shoqërohet nga punime; në trotuare, sistemimin e Sheshit Selam Musai, punime gjelbërimi, ndërtim urë me konstruksion guri druri dhe hekuri në hyrjen perëndimore etj, si dhe hapësira parkimi.

Ky investim ka për qëllim që përmes përmirësimit të hapësirës publike urbane dhe rivlerësimit të aspekteve historike, kulturore e natyrore të zonës, të rrisë alternativën turistike dhe zhvillimin ekonomik të banorëve.