Tiranë- Bregdeti shqiptar ka një shtrirje të konsiderueshme në gjatësi 450 km, duke përfshire këtu edhe sipërfaqet e lagunave që gjenden në të. Në veri fillon me grykëderdhjen e lumit Buna dhe në jug përfundon me Kepin e Stillos. E pasur në forma të shumëllojshme, prej plazheve, laguna, shpella detare etj.

Bukuria dhe pozicioni “fatlum” gjeografik bëjnë që Shqipëria tu ofrojë turistëve më shumë gjatë pushimeve, se vetëm det dhe diell. Dëshmitë e një trashëgimie të tërë historike, kulturore, nga qytetërimet e hershme buzë detit, si dhe eksplorim në natyrë të paprekur nga njeriu. Këto të fundit janë të ndërthurura nga operatorët turistikë kombëtarë dhe me aktivitete si ecje, çiklizëm, hedhje me parashutë, kanoe, zhytje etj. Për tju ofruar kështu vizitorëve një eksperiencë të plotë të një turizmi bregdetar.

Por ky turizëm, që të jetë i vazhdueshëm dhe cilësor ka nevojë për një infrastrukturë bashkëkohore, e cila duhet të suportojë dhe shërbimet. Këtu hyjnë në punë shumë e shumë projekte, të cilat përpiqen që me ndërhyrje minimale të ofrojnë përmirësime në peisazh dhe elementët e duhur urban. Pasi janë hapësira të përbashkëta ku bëhen një, natyra dhe zona urbane.

Specifikisht gjatë sezonit veror, mbipopullimi, hapësira të pamjaftueshme dhe të pasistemuara janë arsye që kanë sjellë nevojën e disiplinimit përmes infrastrukturës moderne, e cila përfshin disa mijë m2 në gjelbërim, pedonale, ndriçim, mundësi parkimi e elementë të tjerë të mobilimit urban. Dhe në aspektin social synimi është përfshirja e të gjithë grupmoshave, si përfitues direkt; që prej ecjes së pasdites “pas çlodhjes nga plazhi”, kohës për familjen pas një dite të ngarkuar apo iniciativës për të startuar një biznes tëndin aty pranë, në raport me rritjen e kërkesave.Në këtë kuadër, detyra e agjencive zbatuese, për të plotësuar të gjithë nevojat fillon prej konsultimeve publike me aktorët e interesit, deri në miratimin e projektit final, i cili duhet të reflektojë të gjithë nevojat dhe sugjerimet e komunitetit. Projektet nga FSHZH përgjatë vijës bregdetare vijnë si një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë në zhvillimin socio-ekonomik të zonës, ku do të kryhet ndërhyrja.

Gjithmone duke respektuar ambientin dhe ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike.