Alpet Shqiptare përfaqësojnë një ambient tipik alpin. Relievi i lartë dallon për kontraste të forta, ku ndryshimi i madh ndërmjet luginave dhe kreshtave arrin deri në 2000 m. E ndjekur kjo nga një klimë tipike e ftohtë. Kushte të cilat kanë ndikuar bujtinat apo shtëpitë që shfaqin dhe trashëgiminë etnike, të cilësuara shpesh dhe si “arkitekturë pa arkitektë”.
Rritja e fluksit turistik në Alpet Shqiptare ka mbartur me vete njëkohësisht aspekte pozitive dhe negative. Përshtatja e turistit me akomodimin, kulinarinë, zakonet dhe disa aspekte të tjera të jetesës në këtë territor, kanë orientuar dhe ofertën turistike për tërheqjen e vizitorëve.

Ofertë e cila ka rezultuar deri më tani e sukseshme, nisur dhe nga këto informacione të shkurtra statistikore:
Imazhi pozitiv i Alpeve reflektohet dhe në vlerësim për eksperiencën së tyre në zonë, ku: 99,7% e vizitorëve do t’ia rekomandonin të gjithë eksperiencën e tyre në Veri dikujt tjetër. Krahas vlerësimit të përgjithshëm, vizitorët vlerësojnë pozitivisht edhe disa aspekte specifike si: “cilësia e peizazhit” (4,51/5), “mikëpritja” (4,37/5), “mundësia për të hyrë në kontakt më popullsinë lokale” (4,29/5), “stili i jetesës” (4,13/5), “hapësirat rreth strukturave të akomodimit” (4,06/5). Këto aspekte nxjerrin në pah karakteristikat më të rëndësishme të zonës, ku vlerat natyrore, kultura e popullsisë lokale dhe stili i jetesës, shfaqen si avantazhet konkurruese.

Pjesë e kësaj eksperience është dhe udhëtimi komod për të shijuar të gjithë panoramën. Kjo sjell domosdoshmërinë e një infrastrukturë moderne në shërbim të vizitorëve, vendas dhe të huaj. Në këtë kuadër programi Fondi Shqiptar i Zhvillimit po ndjek me prioritet dhe projektet të cilat synojnë përmirësimin e infrastrukturës, për të sjellë më pranë këto destinacione veriore. Si dhe për të krijuar ndër to hapësira me elementë të mobilimit urban, për çlodhje dhe argëtim. Rrjedhimisht kjo do të nxisë ide dhe mundësi të reja për biznes dhe investim, një përfitim direkt ekonomik për zonën. E në vijim për industrinë e turizmit, në rang vendi.

Kështu, “Bjeshkët e Nemuna”, do të jenë rajoni ku kërkuesit e eksperiencave, udhëtarët, vizitorët dhe banorët e zonës “do të bujtin” nën ajrin e pastër dhe në kushte pritëse sa të traditës aq edhe bashkëkohore