TIRANË – Rritja e aftësive të organizimit të tureve me biçikleta në rajonin ndërkufitar Shqipëri – Kosovë dhe eksplorimi i shtigjeve tashmë të markuara në këtë rajon ishte në fokus të trajnimit dyditor që u organizua në kuadër të projektit “Zgjatimi i ViP DinaricA në Rajonin Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë”.

Ky projekt financohet nga fondet IPA, Programi i Bashkepunimit Nderkufitar Shqiperi-Kosove 2014-2020 dhe zbatohet bashkërisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fondi Kosovar për Zhvillimin e Komuniteteve në Kosovë.

20 guida të biçiklizmit nga zona e Tropojës, Shkodrës dhe Tiranës në Shqipëri, si dhe nga Gjakova, Juniku, Prishtina, Peja në Kosovë morën njohuri teorike të kombinuara me praktikë në terren mbi organizimin e tureve me biçikleta, kujdesin që duhet treguar për të garantuar siguri gjatë udhëtimit dhe nxitjen e bashkëveprimit mes turistëve që zgjedhin rajonin ndërkufitar Shqipëri – Kosovë.

 

 

Përgjatë një Itinerari prej 44 km pjesëmarrësit në trajnim u aftësuan në teknikat e drejtimit të grupeve të biciklistëve, kujdesin që duhet të tregojnë, bashkëveprimin midis pjesëmarrësve, rolin e guidave në drejtimin e grupeve dhe rreziqet që duhen evituar gjatë lëvizjes për të gjithë pjesëmarrësit.

Trajnimi ishte një mundësi e mirë për të nxitur bashkëpunimin mes operatorëve turistikë dhe guidave të pavaruara që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë, dhe njëkohësisht për të prekur nga afër shtigjet e identifikuara, që projekti po punon për t’i përfshirë në itinerarin e Via Dinarica, shtegu që nis nga Sllovenia dhe përfundon në Maqedoni, duke kaluar nëpër Shqipëri dhe Kosovë.

Shtigjet e identifikuara në Shqipëri lidhen edhe me Qendrën për Zhvillimin e Turizmit në Valbonë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të ndërhyrjeve të integruara, po e transformon në një qendër profesionale në shërbim të turistëve, bizneseve lokale, agjencive turistike dhe zonës në përgjithesi për promovimin e vlerave turistike, prodhimeve dhe kulinarise lokale.