Përfundon me sukses trajnimi i markuesve të shtigjeve të reja në Kosovë dhe Shqipëri

TIRANË – 20 përfaqësues të shoqatave të ecjes në natyrë dhe biçiklistëve nga Shqipëria dhe nga Kosova ishin pjesë e trajnimit dyditor në lidhje me markimin e shtigjeve, të zhvilluar në Bogë-Pejë, Kosovë në kuadër të projektit “Zgjatimi i ViP Dinarica në zonën ndërkufitare Kosovë – Shqipëri”. Projekti është pjesë e programit të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë-Shqipëri, të financuar nga fondet IPA.

Trajnimi u organizua nga Fondi për Zhvillimin e Komuniteteve të Kosovës në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Gjatë trajnimit dyditor njohuritë teorike u kombinuan me praktikë në terren. Kjo pjesë e trajnimit angazhoi drejpërdrejt pjesëmarrësit në trajnim që kontribuan në punë praktike për markimin e shtigjeve në një gjatësi 1 km. Për këtë pjesëmarrësit u zhvendosën në zonën e Deçanit dhe u ushtruan në markimin e shtigjeve duke aplikuar njohuritë e fituara.

Ekspertët e shtigjeve, me eksperienca të pasuruara edhe gjatë këtij trajnimi, do të jenë burim bashkëpunimi, informacioni, konsultimi dhe eksperience për FSHZH në aktivitetet në vazhdimësi të projektit të Vip Dinarica por edhe më tej në programet e FSHZH për zhvillimin e turizmit në zonën e Alpeve dhe në zonën e Valbonës.

Projekti “Zgjatimi i ViP Dinarica në zonën ndërkufitare Kosovë – Shqipëri” është një projekt ndërkufitar që zbatohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Kosova me financim të Bashkimit Europian. Ky projekt synon të identifikojë shtigje në zonën ndërkufitare të Kosovës dhe Shqipërisë që më pas mund t’I bashkëngjiten shtegut Via Dinarica.