Impakti i programit Punët në Komunitet IV – Gjetje cilësore!
Tiranë- Projekti “Punët në Komunitet IV” synon zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik përmes investimeve në fushën e përmirësimit të infrastrukturës publike në zonën bregdetare Jugore, Alpet shqiptare dhe zonat e tjera malore.
Në vijim të studimit nga IDRA Research & Consulting me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH financuar nga Banka e Këshillit të Europës (CEB), përmes grantit SDA, janë renditur në vijim disa nga gjetjet në zonat ku janë zhvilluar ndërhyrjet dhe ndikimi i tyre për banorët e zonës, specifikisht në industrinë e turizmit.
Gjetjet cilësore sugjerojnë se pothuajse të gjithë pjesëmarrësit e grupit e pranojnë ndikimin pozitiv që kanë patur për qytetarët, turizmin në zonë si dhe bizneset që lidhen me turizmin, investimet e FSHZH-së në zonën e tyre. Ata ishin përgjithësisht të kënaqur me rezultatet.
Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit e grupit ishin në gjendje të listonin investimet më të mëdha të bëra në zonën e tyre dhe pretenduan se këto investime ishin kryesisht qendrore (d.m.th qendra e qytetit/qyteti), nga të cilat përfituan të gjithë qytetarët e bashkisë dhe vizitorët. Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit shprehën besimin se investimet do të kishin një impakt afatgjatë në zonë dhe në turizëm.
Investime të tjera të tilla si; përmirësimi i ndriçimit, sipërfaqet e gjelbërta dhe kanalizimet e ujit u përmendën nga disa pjesëmarrës të grupit, por që gjithsesi u njohën edhe nga pjesëmarrësit e tjerë.
U vu re se pjesëmarrësit e grupeve të diskutimit me bizneset ishin më të informuar sesa qytetarët lidhur me çdo investim për shkak të konsultimeve me bizneset e tjera ose ekipin e bashkisë dhe FSHZH. Ata ishin përgjithësisht më të informuar se qytetarët se investimet ishin bërë nga FSHZH.
Gjetjet cilësore sugjerojnë më tej se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve besojnë se zhvillimi i turizmit është fokusi kryesor i investimeve dhe si i tillë, do të ofrojë më shumë përfitime për komunitetin çdo vit. Gjithsesi, pjesëmarrësit ndjenin se duhej bërë më tepër punë për të promovuar turizmin dhe investimet e reja në secilën nga zonat.
Investimet kanë ndihmuar në mënyrë të veçantë qytetarët, të cilët shtëpitë i kishin të vendosura në qendër të qyteti, disa prej të cilëve kanë përfituar edhe nga projekti dhe i kanë kthyer shtëpitë e tyre në bujtina. Çmimet e qirave dhe qiratë e shtëpive në qendër janë rritur gjithashtu për shkak të investimeve. Pronarët e bizneseve pohuan gjithashtu se rritja e aksesit në zonë ka ndikuar në mënyrë pozitive në rritjen e të ardhurave të tyre. U vu re se pothuajse të gjithë pronarët e bizneseve përfaqësues në grupet e diskutimit ishin shumë mirë të informuar për secilin investim dhe ishin të gatshëm për të bashkëpunuar me bashkinë e tyre për të nxitur sa më shumë investime në zonë.