Duke kaluar përmes rrafshinës, ecëm brigjeve të Kirit, të cilin e kaluam te Ura e Mesit, një urë e bukur guri, që thuhet se është veneciane………” 

“Lartë në një kodër që zotëron hyrjen e luginës së Kirit, gjendej Drivasti, Drishti i sotëm. Zbritëm te lumi i Kirit, atje ku ai derdhet në luginë, ndërsa rrënojat e Drishtit ngrihen thikë drejtë qiellit në majën e kodrës prapa……….”

Kështu do të shprehej Edith Durham (1863-1944) në librin “Brenga e Ballkanit”, për dy nga objektet më të veçanta të trashëgimisë sonë historike e kulturore.

Të vendosura pranë njëra – tjetrës, në një distancë vetëm 6 km tashmë kalimi përmes tyre deri dje i amortizuar e degraduar në baltë e gropa, sot është zëvëndësuar me një rrugë të re, totalisht të rikonstruktuar. Infrastrukturë që synon të sjellë më pranë vizitorëve këto destinacione dhe në të njëjtën kohë të nxisë iniciativat e bizneseve, në produkte dhe shërbime përgjatë vijës.

Në zonën e ndërhyrjes banorët përfitues direkt, të cilët rrëfejnë ndryshimin “nata me ditën”, prej përditshmërisë së tyre e deri tek vështirësitë e makinave apo mjeteve të tjera të transportit për të përshkruar rrugën, pasi pavarësisht problematikave interesi turistik vazhdonte të ishte i lartë.

Gjithë gropa e baltë ka qenë. Kalonin me të rritur e fëmijë. Hall me makinë, hall me mjete të tjera. Më e keqja kur na vinin këta të huajt, detyroheshin e merrnin avash deri në Kala. Tani shihet ndryshimi, puna ska fjalë”. Banor i zonës

Kalaja e Drishtit është ndërtuar si fortesë bizantine që në shek XIII, por qytetërimi në këtë zonë mendohet të jetë më i hershëm. Shumë nuk e dinë se brenda saj ndodhen 11 shtëpi, një pjesë e të cilave sot vijojnë të jenë të banuara.

Në histori si pararojë e Kështjellës së Shkodrës thuhet se luftëtarët në këtë kala, përmes shenjave të zjarrit komunikonin me mbrojtësit e Shkodrës. Gjithashtu sipas gojëdhënave nga banorët më të vjetër të zonës rrëfehet se në këtë vend është groposur një thesar nga ushtria turke, para se të largohej. Mbetet për tu eksploruar!

Ndërkohë Ura e Mesit e krijuar nga lidhja e 13 harqeve josimetrike është një nga monumentet me vlera unike arkitekturore. Prej shek të 18-të eshtë ura më e madhe, e ruajtur prej periudhës Osmane në Shqipëri dhe gjithashtu është ura më e gjatë e ndërtuar me gurë, mbi lumin Kir që shërben për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Asfaltimi i rrugës që lidh këto dy monumente është një nga arsyet kryesore që ka sjellë rritjen e vizitave turistike dhe ka lehtësuar në të njëjtën kohë jetesën e banorëve, qarkullimin e tyre dhe ju ka dhënë mundësinë të krijojnë ide/investime për të përfituar nga lëvizjet e shumta të turistëve në zonë, të cilat gjatë sezonit veror janë në kulmin e tyre.

Kemi dy ditë që kemi ardhur në Shkodër. Duhet patjetër ta vizitonim këtë objekt. Vijmë për herë të parë në Urën e Mesit është impresionuese, për kohën në të cilën është ndërtuar. Kam marrë biçikletë me qera për të shëtitur këtu, më pas do të ngjitemi për në Kalanë e Drishtit”. Janë kaq afër dhe ne kemi lexuar në internet për këto. Kjo urë është një mrekulli, mendoj më e bukura në Ballkan.“ Turist austriak.

FSHZH ka patur bashkëpunim konstant me pushtetin lokal, gjatë zbatimit të punimeve.            

Ndër të tjera Kryetarja e Bashkisë Shkodër shprehet: “Një rrugë e re do të zëvëndësojë baltën, ujin, gropat. Një rrugë e re që do të mundësojë aksesin   në një vend me histori, kalanë e gjurmë të parëve tanë, do të zgjojë interesin e turistëve e investitorëve publik e privat në fushën e turizmit.” Znj. Voltana Ademi

Për vendasit, historia është krenari, trashëgimi e vyer dhe përpjekjet i kanë të vazhdueshme individuale apo institucionale, për tua dëshmuar të tjerëve. Mbështetja përmes infrastrukturës në rastin konkret është element kyç suksesi, për të sjellë më pranë dhe më shpesh “vizitorë pa kufij”,  gjithmonë në respekt të mjedisit dhe hapësirës publike.