Për vite me radhë furnizimi me ujë i fshatrave në zonat rurale ishte lënë në harresë, përsa i përket investimeve dhe zgjidhjes së problematikës për banorët. Si rezultat i kësaj gjendjeje, sistemet e ujësjellësve ekzistues nuk ishin aspak efiçientë, prej pamjaftueshmërisë të sasisë së furnizimit dhe cilësisë së tij jashtë çdo standardi.

Në këtë kuadër për të mundësuar rehabilitimin dhe ndërtimin e ujësjellësve ruralë, në vijim të reformave të saj, Qeveria Shqiptare me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW-së) dhe Bashkimit Europian (BE) bëri të mundur përgatitjen dhe financimin e një programi për furnizimin me ujë të zonave rurale.

Në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit “Programi i Ujësjellësave Ruralë”, shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe synon furnizimin me ujë të pijshëm, pa ndërprerje, higjenikisht të pastër, duke përmirësuar kushtet bazë të jetesës për më shumë se 215 mijë banorë në zonat rurale, përfitues direkt. Kjo mbi bazën e mbulimit të shpenzimeve dhe tarifave të pranueshme nga komuniteti.

Shfrytëzimi i burimeve të cilat Shqipërisë ia ka falur natyra, ndërthurur me konsulencën, teknologjinë dhe kontrollin e partnerëve ndërkombëtarë nga studimet e fizibilitetit deri në realizimin e skemave mundësoi ujë 24 orë, në çdo ditë të javës në çdo familje. Me sensibilizimin, jo për shpërdorim “i madh, e i vogël” i gëzohen këtij ndryshimi thelbësor, që ka lënë pas ngarkesat e litrave që çdo pjesëtar familjeje detyrohej të ngrinte apo oraret e pritjes për furnizimin minimal të radhës.

Rritja e mirëqënies së banorëve, ruajtja dhe zhvillimi i industrive (bujqësi, turizëm) për të ndikuar më pas në ekonominë lokale, janë gjithashtu të mirat e menjëhershme dhe direkt të ndjeshme, kur sapo i është dhënë zgjidhje problemit disa vjeçar të furnizimit. Prej Programit FUZR III në zona si Devoll, Korçë, Tropojë, Mat, Lezhë, Durrës, Shkodër,Tiranë, Berat, Dibër, Fier banorët i janë rikthyer rutinës së duhur të një jetë me kushte shumë herë më të denja.

Programi i Ujësjellësave Ruralë III riktheu normalitetin për më shumë se 75.000 banorë me 26 skema te reja të përfunduara brenda afateve por puna nuk përfundon këtu.

Programi vazhdon me fazën e IV në bashkitë Himarë dhe Orikum. Mungesa e ujit të pijshëm pranë destinacioneve turistike bregdetare rrit nivelin e vështirësisë, që në plotësimin e kushteve bazë për “mysafirët vendas e të huaj”. Rreth 80.000 banorë dhe turistë që frekuentojnë këto zona të cilët do të jenë përfitues direkt të një investimi që synon të mbështesë jo vetëm industrinë e turizmit por edhe bujqësinë. Ndërtimi i sistemeve të ujësjellësave rurale siguron zgjidhje afatgjatë dhe përfundimtare ndaj kësaj problematike.