Vijojnë punimet për ndërhyrjen e radhës nga FSHZH, me mbështjetjen e Qeverisë Shqiptare e cila synon përmirësimin dhe rikualifikimin e një prej zonave bregdetare më tërheqëse. Zona bregdetare nga Plepat në Golem e deri në Qerret është një zonë me frekuentim të lartë përsa i përket turizmit. Para viteve ’90 zona në fjalë ka qenë e pyllëzuar dhe shumë pak e prekur nga ndërtimet. Më pas, sidomos gjatë dy dekadave të fundit kjo zonë është urbanizuar dhe vazhdon të urbanizohet në mënyrë intensive.

Gjatë fazës së urbanizimit vëmendja kryesore ka qenë përqëndruar në ndërtimin e objekteve rezidenciale, duke mos u kushtuar vëmendjen e duhur rrjeteve infrastrukturore inxhinierike dhe sidomos drenazhimit.

Megjithatë potenciali i zhvillimit të turizmit i kësaj zone bregdetare mbetet shumë i lartë dhe për ketë arsye Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërmarrë projektin përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës së kësaj zone.

Lidhur me këtë ndër objektivat kryesore mund të rendisim; Përmirësimi i aksesit drejt potencialeve turistike të zonës, me qëllim zhvillimin e turizmit, rritja e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit, rritja e mundësive për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të zonës turistike, përmirësimi dhe siguria e lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike si dhe përmirësimi dhe lehtësimi i qarkullimit të mjeteve të transportit nga zona turistike në drejtim të Kavajës, të Durrësit dhe të Tiranës.

Në total do të trajtohen rreth 26 km rrugë, kanale ose shëtitore, kryesisht në gjurmë ekzistuese. Gjithashtu do të parashikohet një kryqëzim në disnivel (me nënkalim ose mbikalim), i cili do të vendoset midis rrethrotullimit të plepave dhe Malit të Robit dhe duhet të lidhë rrugët dytësore me njëra tjetrën. Në zonat me intensitet të lartë ndërtimi, do të bëhet planifikimi i hapësirave për parkime, parqe, sheshe etj.

Vendndodhja e projektit kufizohet:

  • Në Veri: me kufirin ndarës të Njësisë Administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, pranë Shkëmbit të Kavajës.
  • Në Lindje: me superstradën Durrës-Rrogozhinë;
  • Në Perëndim: me vijën bregdetare;
  • Në Jug: me Përroin e Lishatit, Qerret, Nj. Administrimi Golem, bashkia Kavajë.

Pjesë e këtij projekti konsiderohet edhe segmenti i rrugës dytësore Rrethrotullimi Plepa Rrethrotullimi Mali i Robit i emërtuar më poshtë si segmenti 0-1-2, si dhe segmenti i rrugës dytësore

Rrethrotullimi Plepa–Nënkalimi Golem i emërtuar më poshtë si segmenti 0-4-3.

Në fazën e parë do të ndërtohen akset e mëposhtme:

  • Segmenti 1/3 – 3. Rruga bashkë me rehabilitimin e përroit të Agait. (0.4 km)
  • Segmenti 5 – 6 (1.6 km)
  • Segmenti 9 – 10 (0.6 km)
  • Segmenti 3 -5 – 13/1 (0.6 km) Kanal kullues
  • Segmenti 1/5 – 5/9 (0.3 km)
  • Segmenti 1/9 – 5/4 (0.3 km)