Deri më tani janë realizuar rreth 55% e punimeve

Bypassi i Beratit inicion një hapësirë zhvillimi urban, dhe përfshin të gjithë parametrat infrastrukturore me trotuarë, korsinë e biçikletave, ndriçim.

Ervin Demo

Kryetar i Bashkisë Berat
"Prej kohësh ishte kthyer praktikisht në një ëndërr për banorët e zonës dhe përpos faktit të ndërtuarit një rrugë, përgjatë gjatësisë së saj ofrohet një panoramë magjepsëse me Malin e Tomorrit në sfond dhe Kalanë e qytetit. Është një rrugë që i vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të Beratit por gjithashtu dhe të Poliçanit dhe Çorovodës, duke shkurtuar rrugëtimin e tyre prej minimumit 20 min"
Përmes kësaj rruge largohet trafiku (përfshirë dhe mjetet e rënda) nga qendra e qytetit dhe qendra historike e cila përshpejtonte amortizimin e rrugëve të brendshme të qytetit dhe dëmtonte zonën historike, duke I dhënë dhe vlerë të shtuar asaj që Berati ka nga pikëpamja turistike.

Është një mundësi për atraksion dhe ndaj investimeve private. Përveç Bypassit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare ka në proces zbatimi një paketë investimesh në Berat e përreth duke përfshirë qendrën e qytetit, përmirësimin e peizazhit urban në qendrën historike, apo rikualifikimit urban në rrugët “Antipatrea”, “Shëtitorja Osumi”, ‘Santa Lucia” si dhe rruga për në vendin e shenjtë në Malin e Tomorrit.

Ndërhyrja për ndërtimin e Unazës së Re parashikohet të përmbyllet në fund të këtij viti, për ta vënë në dispozicion të qytetarëve.