Përfituesit e projektit më të ri janë fshatrat që ndodhen midis Rrajcës dhe Sutaj në Bashkinë Prrenjas, pjesë e rajonit Jug-Lindor.  Ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm për zonën pasi përmirëson qarkullimin e banorëve, automjeteve si dhe rrit sigurinë e lëvizjes.

Me herët gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë e amortizuar dhe jo e përshtatshme për qarkullimin e mjeteve. Për më tepër gjatë periudhës së dimrit kalimi në këtë aks ka qenë gati i pamundur, në mungesë të një sistemimi për ujërat e skarpatës që kufizojnë rrugën.

Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare transformimi dhe ndërtimi i rrugëve të reja do të përmirësojë aksesin dhe urbanizimin e kësaj zone. Rikonstruksioni dhe asfaltimi i rrugës Rrajcë- Sutaj, nuk ju shërben vetëm banorëve të këtyre zonave si përfitues direkt, por edhe zhvillimit të agroturizmit në këtë zonë, mbi të cilën ngrihet Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Përmirësimi i qarkullimit dhe rritja e tij me banorë nga i gjithë vendi dhe jo vetëm do të nxisë krijimin e iniciativave të reja, shërbimeve në drejtim të ekonomisë dhe turizmit. Qëllimi kryesor përmes infrastrukturës është sigurimi i një zhvillimi të qëndrueshëm, fillimisht në nivel lokal e më pas kombëtar.

Në këtë ndërhyrje, faza e parë lidh qendrën me Rrajcë-Sutaj dhe në vijim synohet të lidhet me dy fshatrat e fundit siç janë Skënderbej dhe Bardhaj, duke rritur aksesin me rrugë në të gjithë fshatrat e kësaj zone, duke shndërruar e përftuar kështu një ‘oaz’ agroturistik.