Rrethi i Përmetit (me popullsi rreth 39.000 banorë) është i pozicionuar në juglindje të Shqipërisë dhe përbëhet nga dy bashki, bashkia Përmet dhe bashkia Këlcyrë, si dhe nga 7 qendra të mëdha të banuara si: Sukë, Ballaban, Çarshovë, Piskovë, Frashër, Petran e Dëshnicë.

Qyteti i Përmetit, qendër administrative e Rrethit, përshkohet nga lumi Vjosa nga i cili merr emrin dhe lugina. Lumi Vjosa përshkon 58 km të Rrethit dhe renditet i dyti në Shqipëri për rezervat hidrike që përmban dhe krijon një luginë shumë të bukur, duke filluar nga Çarshova dhe duke mbaruar në rrethin e Tepelenës.

Rrethi i Përmetit shtrihet në gjirin e luginës dhe rrethohet nga male me një florë dhe faunë të vecantë të zonës. Nuk mungojnë parqet me një interes të madh natyror si Bredhi i Hotovës dhe burime termale me ujë sulfurik në luginën e Langaricës, të cilat formojnë pishina natyrale dhe të përdorshme. Gjithashtu janë të shumta monumentet me interes të madh historik ndër të cilat numërohen shumë kisha, manastire të periudhës bizantine, rrënoja arkeologjike etj. Një tjetër aspekt që e bën të famshme këtë luginë janë dhe produktet tipike agro – ushqimore dhe me një kualitet të lartë të zonës.  Gjithashtu gjatë vitit, në Përmet zhvillohen aktivitete të ndryshme si “Festivali Internacional Multikulturor, gara me rafting, kanotazh dhe rally. Siç shihet kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë ekonomike dhe turistike dhe paraqet mundësi të shumta për zhvillim dhe rritjen e mirëqënies.

Rruga Përmet – Çarshovë është e gjatë 27210 ml. Infrastruktura rrugore e trashëguar nuk i përgjigjet kërkesave të kohës, si për volumin e trafikut që duhet të përballojë, ashtu edhe për shumëllojshmerinë e tij, me vepra arti ura dhe tombino të ndërtuara kryesisht rreth vitit 1936.

Me fondet e buxhetit te Shtetit te vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka planifikuar ndërhyrjen:

“Rikonstruksion i rrugës Përmet – Çarshovë”.

Rruga Përmet -Çarshove është pjesë e segmentit rrugor Tepelenë – Përmet – Çarshovë, që lidh rrugën kryesore kombëtare SH4 (Aksin rrugor Veri-Jug) me qytetin e Këlcyrës, Përmetit dhe Çarshovës dhe më tej me kufirin me Greqinë në Pikën Doganore të “Tre Urave”, por është edhe pjesë e segmentit rrugor Tepelenë – Korçë – Kapshticë. Segment ky shumë i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e zonave ku kalon kjo rrugë, por edhe për transportin e mallrave nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas. Ky aks rrugor, pjesë e të cilës është edhe rruga Përmet – Çarshovë kalon nëpër disa qytete apo qendra administrative të rëndësishme si më poshtë:

1- Këlcyrë

2- Përmet

3- Çarshovë

4- Leskovik

5- Ersekë

6- Korçë

7- Bilisht

8- Kapshticë

Ndërhyrja synon përmirësimin e konektivitetit rajonal dhe ndërkufitar dhe lehtësimin e aksesibilitetit drejt potencialeve turistike të rajonit të Përmetit, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të oportunitetit për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm rajonal.