Tiranë- Në qytetin e Vlorës u zhvillua takimi i parë prezantues i programit, i cili parashikon ndërhyrje dhe përmirësim të rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm.
Programi i Ujësjellësave Ruralë IV ka një shtrirje gjeografike në Bashkinë Himarë dhe Njësinë Administrative Orikum.
Ndërhyrja përfshin zonën e qytetit të Himarës, fshatrat Kuç, Buronjë (afër Kuç), Pilur, Kudhës, Vuno, Jal, Livadhi, Himara Fshat, Qeparo.
Projekti parashikon ndërhyrje për sistemin e furnizimit me ujë në Orikum, zgjatim të sistemit të kanalizimeve në NjA Orikum dhe riparime dhe masa plotësuese për vënien në funksionim të impiantit ekzistues në këtë njësi.

Gjatë takimit që starton procesin e zbatimit ishin të pranishëm përfaqësues nga: kompania konsulente CES, Bashkia Himarë, Njësia Administrative Orikum, KfW (Banka Gjermane për Zhvillim) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili është agjencia kryesore zbatuese në asistencë të njësive lokale, gjatë procesit.
Programi IV financohet nga KfW dhe Qeveria Shqiptare, me një vlerë investimi prej 45 mln euro. Me rëndësi u theksua fakti i bashkëpunimit me njësitë lokale, si grupi primar i interesit. Këta të fundit shprehen mbështetjen e tyre për këtë investim, si dhe disa sugjerime për të gjithë fazat që projekti do të ndjekë në zbatim.
Si dhe nga konsulenca u nënvizua Plani i Vizibilitetit dhe Komunikimit, qe banorët e zonës të informohen në mënyrë direkte mbi të gjitha zhvillimet.
Programi pritet të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kosto të ulët, për 80,000 banorë dhe turistë që frekuentojnë këto zona.