Park Agroturistik dhe rrugë e re hyrëse, në funksion të zhvillimit të turizmit!

Luari është një fshat i pozicionuar në jug-perëndim të Roskovecit, me një terren të theksuar kodrinor. I njohur më së shumti për prodhimet bujqësore, blegtorale, agrumet si dhe kulturën e ullirit.  Me një sipërfaqe rreth 58 000 m2 hapësirë të gjelbëruar (pyll me pisha) i shton akoma më shumë vlerat zonës.  Projekti synon ti japë komunitetit akses më të lehtë, mjedis më të pastër dhe estetikë më të mirë dhe jo vetëm do të sjellë rigjenerim të zonës, por do ti japë fshatit një identitet unik.

Frekuentimi nga grupmosha të ndryshme ka sjellë që gjatë projektimit urban të merren parasysh; siguria, orientimi dhe parkimi, zona e fushave sportive, lojërat për fëmijë, ndriçimi si dhe materialet ekologjike.

Krijimi i një parku agro-turistik do ti japë mundësi rigjenerimi ekonomisë lokale përmes promovimit dhe shitjes së produkteve bujqësore dhe lokale. Do të rrisë aksesin përmes përmirësimit të infrastrukturës, duke ndikuar në mënyrë direkte në mirëqënien e përgjithshme. Objekti i përgjigjet nevojave të komunitetit dhe është në dobi dhe funksion gjithashtu të bashkive të afërta në pozicion gjeografik me Roskovecin.

Gjatë viteve të fundit vihet re një lëvizje dhe vëmendje e shtuar e përbashkët mes politikave dhe banorëve drejt përmirësimit të peizazheve urbane, për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit rreth impaktit të njeriut në mjedis.