Tiranë- Krijimi i qendrave turistike është një mundësi për të mbledhur nën strehë të përbashkët kultura e kombësi të ndryshme. Për tu njohur më nga afër me zonën në të cilën ndërveprojnë, si dhe traditën unike që ato paraqesin.

Qyteza e Vermoshit, sepse e tillë është shndërruar nisur nga numri i lartë i vizitorëve përgjatë gjithë vitit, në skajin më verior të Shqipërisë prej kohësh vuante mungesën e ambienteve pritëse. Fushat përreth kthyer në “oaze kampingu”, shpesh jo dhe aq të përshtatshme për familje dhe grupmosha të caktuara nisur nga temperaturat e zonës.

Rikonstruksioni i godinave ekzistuese, që ngjasonin me “ngrehina fantazmë” ju dha jetë dy godinave të cilat do të ofrojnë shërbime akomodimi, gastronomie e informacioni. Me ndërhyrje minimaliste për të ruajtur natyrën në më të mirën e saj, kjo ndërhyrje është një nxitje e zhvillimit të turizmit malor. Ky i fundit favorizuar nga mrekullia veriore siç janë “Alpet e Shqipërisë”.

Këto dy ndërtesa janë shoqëruar dhe nga punimet për mbrojtjen e bankinave lumore, pasi në Vermosh kalon dhe lumi që mban të njëjtin emër. Ndërtim rruge aksesi, për të lehtësuar mirëseardhjen në një zonë që për shumë mund te jetë e re dhe e paeksploruar si dhe me vendosjen e elementëve të mobilimit urban.