Në proces rigjenerimi Sheshi “Ahmet Zogu” dhe Parku “Geraldinë”!

“Parku Geraldinë” me një sipërfaqe rreth 30 000 m2 i është nënshtruar rehabilitimit dhe ridizenjimit, në dobi të komunitetit të zonës dhe vizitorëve.

Deri dje paraqiteshin probleme në rrugën kryesore të këtij parku, me asfalt të dëmtuar dhe mungesë sinjalistike, e cila ndikonte në lëvizjen e përditshme të automjeteve. Ndriçimi gjithashtu nuk është i mjaftueshëm dhe parku nuk ishte i pajisur me një sistem të kullimit të ujërave të shiut.

Problematika të ngjashme vijonin dhe në sheshin “Ahmet Zogu”, për të cilin si zgjidhje përfundimtare është parashikuar rikonceptimi i sheshit që konsiston në transformimin rrënjësor të tij, në prishjen e shtresave asfaltike ekzistuese dhe shtrimin e tyre me pllaka guri. Ndërtimi i një pakete shtresash me pllaka guri natyral, kryesisht me formë të rregullt (të skuadruar) dhe të vendosur në radhë me dimensionin më të madh të tyre, sipas drejtimit tërthor të rrugës.

Në të gjithë hapësirën e sheshit janë respektuar me korrektësi pozicionet e trotuareve ekzistues ndonëse ka përmirësim lidhur me drejtimin e tyre. Janë parashikuar ndërhyrjet në degëzime mesatarisht deri në 10m, si dhe ndërtimi i sistemit të kullimit të ujërave të shiut.

Ndërkohë propozimet lidhur me punimet e parashikuara për tu realizuar në parkun “Geraldine” janë riveshja e rrugës kryesore dhe unazë të parkut, me shtresa asfaltike dhe rindërtimi i shtresave të rrugicave të parkut me granil.

Vendosja e sinjalistikës rrugore në të dy rastet është e nevojshme, për rastin e rrugëve ku si kriter kryesor bazë është kufizimi në maksimum i lëvizjes së automjeteve. Nëpërmjet kësaj sinjalistike do ti jepet gjithmonë prioritet lëvizjes së këmbësorëve. Sinjalistika do të jetë vertikale me tabela, ndërsa ajo horizontale do të krijohet me anë të teksturës së rrugës.