I ndodhur në jugperëdim të Shqipërisë, Ballshi ndodhet vetëm 40 km larg detit Adriatik dhe disa prej plazheve më piktoreskë në Shqipëri siç janë plazhi i Semanit, Hidrovorit, Darëzezës, dhe Divjakës.

Zona në të cilin shtrihet objekti i kontratës Studim-Projektim “Rikualifikim Urban i Qendrës së qytetit Ballsh“ ndodhet në qendër të qytetit të Ballshit. Ky objekt përfshin Bulevardin “Rrapo Hekali”, si dhe degëzimin rrugor që lidhin atë me aksin e rrugës nacionale . Në këtë studim përfshihen Bulevardi “Rrapo Hekali”, rruga “Mehmet Shehu”.

Në zgjidhjen Planimetrike është patur parasysh sistemimi dhe trajtimi i të gjithë hapësirës që përfshin trupi i rrugës, korsi biçikletash në anën perëndimore, trotuaret dhe sheshet e vogla, deri tek objektet e banimit dhe tregtimit duke i plotësuar me të gjithë elementet urbane.

Duke patur parasysh karakterin e këtij objekti qëllimi kryesor është rritja e vlerës në tërësi të zonës, kthimi në zonë pedonale, krijimi i mundësive për qëndrim në kohë më të gjatë dhe në mënyrë më tërheqëse për banorët.

Po në këtë këndvështrim do të kryhet edhe trajtimi i fasadave të katit perdhe dhe kateve të sipërme përgjatë objektit duke unifikuar materialet e përdorura në fasada. Po kështu përgjatë pjesës pedonale është parashikuar vendosja e stolave në mënyrë që këmbësorët të akomodohen në objekt. Trajtim i veçantë do tw zhvillohet dhe gjatë kësaj pjese me gjelbërimin, alternimin e ndriçimit relativisht të ulët me ndriçimin në sipërfaqe të pllakave me anë të spoteve, duke e shndërruar atë në një zonë të mirëfilltë për shplodhjen e qytetarëve.

Realizimi i punimeve për Projektin “Rikualifikimi Urban i Qendrës së qytetit Ballsh”, do ti japë kësaj zonë një frymëmarrje të re dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetesës së banorëve të tij.

Ndërtimi i saj dhe i pjesëve të tjera përbërëse do të ketë një impakt pozitiv për të gjithë qytetin e Ballshit, pasi zona në fjalë shërben si Bulevardi i vetëm në qytet.

Trajtimi në kompleks i të gjithë elementëve të infrastrukturës urbane do të bëjë që kjo zonë të ketë totalisht një imazh të ri, duke sjellë në qytet një ndryshim rrënjësor dhe nxitje për investime dhe zhvillim të mëtejshëm.