Tiranë- 13 km zgjidhje afatgjatë infrastrukturore, për ti dhënë fund problematikave gjatë qarkullimit drejt fshatrave turistikë. Të pozicionuara në juglindje të vendit, me një klimë për tu patur zili që mbledh të gjitha grupmoshat, në çdo stinë të vitit Boboshtica dhe Dardha kanë pësuar një rritje të lartë të frekuentimit nga vizitorë vendas dhe të huaj. Traditë, kulinari, ajër i freskët, trashëgimi kulturore shoqëruar me shtëpitë karakteristike e kanë kthyer në një pikë check-in nga ku fillojnë të radhiten fotot më të bukura prej pranverës shumëngjyrëshe e dimrit me dëborë në çdo skaj.

Një prej akseve që prej kohësh vuante amortizimin, shpesh i pakalueshëm gjatë ngricave të dimrit tashmë është sistemuar dhe asfaltuar për të lehtësuar qarkullimin në drejtim të zhvillimit të turizmit malor. Ky i fundit nxit krijimin e strukturave akomoduese (hoteleri, bujtina) dhe lëvizje në drejtim të ekonomisë lokale. Në fundjavë sëbashku më familjen, merr kohën tënde për tu shkëputur pak nga “zhurma e kryeqytetit”. Distancat janë të shkurtra dhe me asfaltin e saposhtruar, nuk do ta ndjesh lodhjen.