Tiranë- Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale është një program i bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, dhe Bashkimi Evropian.

Për shumë vite me radhë furnizimi me ujë i fshatrave në zonat rurale ishte jashtë çdo kriteri dhe jofunksional. Si rezultat i kësaj gjendjeje, sistemet e ujësjellësve ekzistues nuk ishin efiçientë, si pasojë e pamjaftueshmërisë të sasisë së furnizimit me ujë të pijshëm.

Qeveria Shqiptare duke parë gjendjen e vështirë të furnizimit me ujë të zonave rurale, kërkoi mbështetjen e KFW-së për përgatitjen dhe financimin e një programi për furnizimin me ujë të këtyre zonave. I ndarë në 4 LOTE, nga programi parashikohet të përfitojnë më shumë se 215 mijë banorë.

Aktualisht vijon puna në 3 nga 6 skemat e LOT III, ku bëjnë pjesë qytetet Vlorë, Fier dhe Berat. Po punohet për shtrimin e linjave në skemat e fshatrave Urë Vajgurore (Pashalli Guri i Bardhë), Dukat i Ri, Pilur.
Ky program me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e vendit mundëson një zgjidhje përfundimtare, duke siguruar ujë të pastër higjenikisht dhe pa ndërprerje 24/7.