Nga Jugu në Veri!

Tiranë- Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare (me një sipërfaqe prej 86.086,34 ha) shtrihet në territorin e tre bashkive: Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe Tropojës. Kërkesa aktuale e tregut turistik të Alpeve Shqiptare dhe tendencat e identifikuara nga metoda ekonometrike e “Delphi”-t, parashikojnë një zgjatje të sezonit turistik dhe një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve për 15 vitet e ardhshme. Përkthyer në shifra, numri i turistëve (pra i vizitorëve që qëndrojnë të paktën një natë në territor) nga 67.000 turistë në vitin 2016, pritet të arrijë në 578.000 turistë në vitin 2031. 

Në këtë zonë Qendra historike e fshatit Theth është një ndër pjesët me vlera urbanistiko – arkitektonike dhe turizmi natyror e kulturor janë segmentet bazë të kësaj industrie. Në këtë kuadër, infrastruktura vjen në ndihmë duke lehtësuar aksesin dhe duke nxitur një ekonomi lokale të integruar. Aksi Qafë Thorë-Theth, me një gjatësi investimi 16 kilometra e gjatë lidh Thethin me Qafë Thorën, Bogën dhe Shkodrën. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, BERZH dhe Qeverinë Shqiptare projekti synon zhvillimin ekonomik – social të këtyre lokaliteteve me vlera të larta mjedisore. Kjo e vendos rajonin në një cikël të ri zhvillimi me impakt afatgjatë.