Këtë na thotë njëri prej banorëve, i cili e ka shtëpinë në segmentin Rrethrrotullim Imesht – Ngurrez, Fieri i ri – Kashtbardhë, që është dhe pjesë e Loti I- rë i një prej projekteve më ambiciozë, ai i Unazës Bujqësore të Myzeqesë në gjatësi investimi 11 km. Më tej ai vijon: “Më përpara ishte me çakull, nuk kalonte as makinë, as autobus. Është bërë punë e mire, rruga është shtruar dhe në kohë të shpejtë. Dal për 12 minuta në Lushnje, kur më parë me merrte një orë”.

Aksi i drejtë gjarpëron mes fushave dhe lëvizjet më së shumti nga banorët e zonës janë me biçikletë. Paralelisht me to makinat personale, të kompanive, mjetet e bujqësisë, etj kanë shtuar qarkullimin. Kjo pasi projekti po ndihmon përpunimin e produkteve bujqësore dhe shumë kompani me bazë produkte blegtorale janë stacionuar në terren. Dhe për banorët e zonës, ka ardhur në ndihmë direkte, pasi janë përfshirë rreth 6,700 ha tokë e kultivuar me 189 ha serra dhe 93 ha pemë. Tashmë prodhimi nuk ngelet në kufijtë e prodhimit “sa për vete, për shtëpi”, por arrin tregjet e Lushnjes dhe Beratit në pak kohë.

Kjo sjell më shumë të ardhura, në nivel familjar dhe lokal. Dhe në aspektin social njerëzit e sidomos fëmijët nuk i druhen më kohës së keqe për të dalë, qoftë për lojë apo për shëtitjen e pasdites. Këtë na tregon me humor një zonjë: “Ka qenë një tmerr e nxirrja djalin me atlete e reja, e të lara, në fund të ditës bëheshin për tu flakur. E këtu para nuk dilnim dot se e merrnim llucën me vete në shtëpi”.

Por këta banorë nuk do të jenë të vetmit përfitues direkt. Pas përfundimit të këtij Loti, punimet po vijojnë në segmentin “Kallm i Vogël Verri- Bubullimë” pjesë e LOT II. Projekti në total synon një përmirësim të ndjeshëm të aksesit, në zonat me aktivitet të lartë turistik bujqësor të Myzeqesë.