TIRANË, 8 nëntor – Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investojë 163 milionë dollarë përgjatë vitit 2019, në projekte me karakter zhvillimor, kryesisht në infrastrukturën rurale dhe rajonale.

Këto fonde do të akordohen nga donatorët e huaj dhe qeveria shqiptare, e cila për vitin 2019 do të lëvrojë 5.5 miliardë lekë për projektet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Në krye të projekteve që do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm, drejtori i FSHZH, Benet Beci, renditi rikualifikimin e zonës së Lumit të Vlorës, ndërtimin e dy loteve rrugorë.

Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci tha se “me Bankën Botërore po zhvillojmë një projekt për turizmin, ku bën pjese zona e Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit dhe Beratit”. Beci theksoi se ky është një projekt shumëdimensional, i cili ka për qëllim rritjen ekonomike nëpërmjet turizmit.

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit po investon në Alpet e Shqipërisë, për ta bërë këtë zonë më të aksesueshme për turistët, duke parë potencialin që ka kjo zonë. Kemi disa projekte me qeverinë në zonën e Shkodrës, disa në zonën e Vlorës dhe gjithë bregdetit të Jugut. Ky buxhet do të sjellë një ndikim më eficient në zhvillimin ekonomik rajonal”, – tha drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.